Organizatat joqeveritare vlerësojnë se mund të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike vetëm nëse ka qytetarë të lirë dhe të vetëdijësuar, mediume të pavarura, gazetarë profesional dhe organizim të shoqërisë civile. Biljana Bejkova nga organizata qytetare Info Qendra thotë se në Maqedoni nuk ka kushte për t’u mbajtur zgjedhjet, duke pasur parasysh se mediat dhe gjykatat janë nën kontrollin e pushtetit.

“Çdo presion për t’i mbajtur sa më shpejtë zgjedhjet duhet që të refuzohet kategorikisht. Së pari duhet t’i shohim reformat. Nuk them që 20 vite të presim për zgjedhje, por duhet të bindemi se ekzistojnë kushte për zgjedhje të lira dhe demokratike e pastaj do të votojmë. Kësaj radhe nuk guxojmë të lejojmë të na gënjejnë”, u shpreh Biljana Bejkova, nga OJQ “INFO QENDRA”.

Nga organizata Civil thonë se zgjedhjet e 24 prillit nuk mund të jenë fer dhe demokratike. Organizata kërkon që procesi të shtyhet për 18 muaj për tu plotësuar kushtet për zgjedhje.

“Pastrimi dhe azhurnimi i listave zgjedhore, reforma, profesionalizmi dhe departizimi i Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe Gjykatës, duhet të bëhet. Zgjedhjet e kaluara janë ilustrim i qartë se në 5 vitet e fundit ka shkelje të së drejtës së votës së qytetarëve”, tha Biljana Everet, aktiviste e OJQ “Civil”.

Ndryshe, gazetari Lubisha Arsiq, i cili zbuloi aferën me letërnjoftimet e falsifikuara, tha se për ta shpëtuar gazetarinë duhet të lirohemi nga klientelizmi. Ai sqaroi çështjen nëpërmes përvojave personale.

“Kanal 5 më ofruan privilegje nëse marr pozitën e redaktorit. Por, unë nuk pranova edhe pse më shantazhonin me aktvendimin për të paguar gjobë për një shkrim që kisha bërë kundër ish drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov. Kështu që, unë duke e ruajtur interesin personal do të duhej ta shkelja interesin publik që automatikisht i bie ta mbroj interesin partiak”, tha Ljubisha Arsiq, gazetar.

Në këtë debat nga përfaqësuesit e partive politike ishte vetëm Zoran Zaev, i cili uroi që debate të këtij formati të organizohen edhe më shpesh.

https://youtu.be/CslCFh4h2Cs