Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe ish kryeministri Vllado Buçkovski, janë takuar sot pasdite në një restorant përskaj autostradës Tetovë-Shkup. Ekipi televizionit Shenja arriti në vend ngjarje vetëm pak minuta pasi Ahmeti dhe Buçkovski ishin larguar. Dëshmitarë rasti të cilët njoftuan televizionin Shenja dhe ndodheshin akoma në vendngjarje thanë se takimi nuk ka zgjatur më shumë se 30 minuta dhe biseda e tyre është shoqëruar vetëm me një kafe.

Këtë takim e konfirmoi zyrtarisht për televizionin Shenja personalisht Vllado Buçkovski. Edhe pse që të dy janë ndër më të përfolurit si të dyshuar kryesorë në aferën Maxhar Telekom, Buçkovski mohoi të kenë biseduar për këtë temë. Edhe pse ai aktualisht nuk ka asnjë pozicion dhe një kohë të gjatë nuk është aktiv në skenën politike, Buçkovski tha se me Ahmetin kanë biseduar për zhvillimet e fundit politike dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Takim privat, pierje kafe. Nuk kishte ndonjë arsye të veçantë, ne jemi shokë të vjetër dhe biseduam për gjithçka që ka ndodhur, biseduam privatisht”, tha në linjë telefonike për TV Shenja, ish kryeministri Vllado Buçkovski.

Gazetari: A ishte Maxhar Telekomi një nga temat, sepse emrat tuaj janë përmendur në këtë rast?

Buçkovski: Jo, përkundrazi biseduam për tema që janë interesante për mua dhe për gjithkend, për atë që ndodhë në Maqedoni, ato janë zgjedhjet , pritjet…

Ndryshe, në një dëshmi të lëshuar nga gjykata e Nju Jorkut, ish shefi i DSK-së maqedonase, Sllobodan Bogoevski, thotë se manjati grek Kondaminas, përveç ish-kryeministrit Vllado Buçkovski, pesë milionë euro nëpërmjet një ndërmjetësi në Tetovë i ka dhënë edhe Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit. Mitmarja thuhet se ka ndodhur në qeverisjen LSDM-BDI, kur kryeministër ishte pikërisht Buçkovski.