Ndonëse tani më kanë kaluar 5 ditë që kur ish kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski pas tentativës së dështuar për formimin e qeverisë dorëzoi mandatin presidentit, ende nuk është e qartë se kujt do ti dorëzohet mandati në vazhdim. Pas takimit të presidentit Gjorgje Ivanov me përfaqësuesit e partive politike, ai porositi liderin e LSDM-së, që të mbledh 61 nënshkrime deputetësh si dëshmi që mund të formojë qeveri, për ta marrë mandatin.

Por se si do zhvillohen bisedimet e partive politike me Zoran Zaevin dhe cilat kushte duhet ti shtrohen atij në tavolinë si kushte për të negociuar me të, për portalin Almakos, flet Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë shqiptarë në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani.

 

Sipas Pollozhanit, Ivanovi veçse ka shkelur aktet më të larta juridike të shtetit, dhe problemi më i madh i tij dhe garniturës së tij VMRO-BDI ngelet frika nga burgu i Idrizovës.

“Me Ivanovin kryetar, me gruevizmin dhe me BDI si katalizator çdo gjë është e mundur. Në të gjitha këto kombinatorika Idrizova është problemi më i madh. Z. Ivanov e ka shkelur Kushtetutën në të cilën betohet. Ajo që vlen për Zaevin nuk vlen për shefin e tij Gruevskin. Qëndrimet e Ivanovit konfirmuan se ai vepron si dorë e zgjatur e VMRO. A i ka shkelur të gjitha normat etike të veprimit politik. Ivanovi u bë si birra e Shkupit. Prej këtij individi me VMRO dhe BDI si katalizator çdo gjë është e mundur”, deklaroi për Almakos, Shpëtim Pollozhani.

Pollozhani më tutje foli edhe rreth kërkesës së partive shqiptare ndaj palës maqedonase, por ngelet skeptik se pjesë e kërkesave të tyre për formimin e qeverisë do të jetë edhe çështja e veteranëve të luftës.

“Çështjen e Veteranëve të luftës partitë politike shqiptare do ta kenë si veth në vesh. Në takim me Lëvizjen BESA dhe LRPDSH është diskutuar edhe zgjidhja e çështjes edhe të burgosurve politikë shqiptarë duke pasur parasysh se një ligj i tillë është në zbatim që nga viti 2004, natyrisht flitet për të burgosurit politik maqedonas”, shtoi Pollozhani./Almakos