Editorial nga  Zhurnal.mk

Përvoja e vjetër për gjuhën shqipe në Maqedoninë me emër të ri po vazhdon. Gjuha shqipe vazhdon të nëpërkëmbet edhe nga vet ata që për çdo ditë krenohen se po e avancojnë përdorimin zyrtar të saj.

Ligji me “flamur evropian” i thonë sa herë që flitet për këtë ligj.

E shkelin dhe e baltosin për çdo ditë pikërisht aty në qeverinë e tyre në të cilën edhe vet komunikojnë në të shkruar vetëm në maqedonisht sa herë që propozojnë ligje.

Së fundi kështu po bëhet edhe me propozim-ligjet më të përfolura të këtij viti. Propozim-ligji për PSP-në, propozim-ligji për ministrinë e re që ndërlidhet me Marrëveshjen e Ohrit, propozim-ligji për shtesat e fëmijëve…

Pse atëherë u miratua dhe u bë aq zhurmë që nga viti 2017 për këtë ligj me “flamur evropian” ?  Që të krenohen se e miratuan e pastaj ta shkelin përditë ? .

Fatkeqësisht pikërisht kështu po ndodhë nga qeveria e LSDM-së, BDI-së, PDSH-së dhe Alternativës.

Dhe askush asnjë fjalë për këtë lloj nëpërkëmbje të përditshme të gjuhës shqipe nga vet ata që e propozuan dhe e miratuan.

Në një qeveri normale dhe parlament normal ligjet bëhen që të zbatohen. Ato nuk bëhen që të jenë aty të ngrira e të mos zbatohen.

Por për këtë qeveri, e edhe ato të mëparshmet, skandali po vazhdon.

Si mund të pritet që ligji të zbatohet nga të tjerët kur vet ata që i propozojnë dhe i miratojnë nuk i zbatojnë të njëjtit ?

A mund të quhet kjo qeveri normale ? Përvoja e deritashme përmes shkeljes së ligjit të ri për gjuhën shqipe pikërisht nga vet qeveria thotë jo assesi.

Por e kot, nuk jemi të parët që ankohemi se si po nëpërkëmbet gjuha shqipe nga zyrtarët qeveritar dhe ata në parlament.  Ata madje askujt nuk i japin llogari sepse janë bërë gjykatës të vetëvehtes.

Dhe të njëjtit prapë ua kërkojnë votën qytetarëve, pikërisht atyre për të cilët thonë se u bë ligji.

Skandal i turpshëm, nëse të njëjtit qeveritar dhe parlamentar ende e kanë në fjalor të tyre fjalën “turp”. Nëse e kanë. Por përvoja po dëshmon se jo.