Ka filluar “Lufta për fronin” opozitar. Paralajmërimi i Nikolla Gruevskit se pas 15 vitesh planifikon të tërhiqet nga posti i kryetarit të VMRO-DPMNE-së, ka shtuar ambiciet e zëvendësve të tij të mundshëm.

Në opinion kohëve të fundit qarkullonin disa emra. Si kandidat më serioz përmendet sekretari aktual i përgjithshëm, Hristijan Mickoski. Ky i fundit është profesor në Fakultetin e Makinerisë në Shkup dhe konsiderohet si teknokrat. Ishte drejtor i përgjithshëm i kompanisë shtetërore ELEM dhe këshilltar për energjetikë në kabinetin e Gruevskit deri sa ishte kryeministër. Kohë më parë në një intervistë deklaroi se kryetari i ardhshëm i VMRO-së duhet të plotësojë tre kushte, të ketë mbështetje nga anëtarësia, të ketë rejting pozitiv në opinion dhe të jetë i pranuar për komunitetin ndërkombëtar. Sipas informatave të televizionit Alsat , për momentin në mënyrë më aktive po lobon edhe ish ministri i Shëndetësisë dhe Arsimit, Nikolla Todorov.

Ai në fund të muajit maj dha dorëheqje nga posti i deputetit dhe njoftoi se tërësisht po tërhiqet nga politika. Ai kohë më parë hapi zyrë të avokatëve. Megjithatë, informatat tona thonë se Todorov ka ambicie për të marrë kreun e partisë opozitare. Por ai prapa vetes ka një bagazh të tërë aferash dhe konsiderohet si një nga ministrat më kontrovers në qeveritë e Gruevskit. Kundër punës së tij si ministër si shëndetësisë u organizuan disa protesta, ndërsa revolti më i madh i opinionit u pa me rastin e Tamara Dimovskës 9 vjeçare nga Velesi, e cila ndërroi jetë si pasojë e skoliozës në pritje të operacionit. Skandali më i freskët që lidhet me punën e Todorovit është importi paralel i ilaçeve nga Turqia me cilësi të dyshimtë. Ai shpesh u kritikua se prapa vetes ka lënë një kaos në shëndetësi.

Nismëtarët për reforma në VMRO-DPMNE për momentin nuk duan të komentojnë për pasardhësit e mundshëm të Gruevskit. Qëllimi i tyre primar thonë se është të reformohet partia në plan të brendshëm dhe të miratohet një Statut i ri që do të mundësojë demokratizimin e partisë.

Kur e tërë kjo do të zbatohet dhe të kemi statut të ri bashkëkohor dhe demokratik të partisë, atëherë mund të flasim për emra dhe mendoj se sa më shumë emra të kerë, kjo do të jetë më mirë edhe për partinë, sepse në këtë rast në shprehje do të vije demokracia brenda partisë – tha Ilija Ilioski, shtabi republikan për reforma në VMRO-DPMNE.

Ndërkohë kryeministri Zoran Zaev në pyetjen e gazetarëve për zhvillimet në VMRO-DPMNE u shpreh se nuk dëshiron t’i lejojë vetes që t’i komentojë çështjet e brendshme të kundërshtarit të parë politik të partisë së tij.

Një opozitë e fortë do ta bëjë pushtetin të jetë më i përgjithshëm, të jetë më llogaridhënës, më transparent dhe më shumë i përkushtuar ndaj qytetarëve. Kuptohet këto janë procese të brendshme që anëtarët e VMRO-DPMNE-së bashkë me kryesinë dhe strukturat udhëheqëse do të përkufizojnë se çfarë është më e mirë për ta – deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Përveç Mickoskit dhe Todorovit, si pjesëmarrës të mundshëm në garën për lider të ri opozitar përmenden edhe emrat e ish ministrave të jashtëm Antonio Miloshoski dhe Nikola Poposki si dhe deputeti Ilija Dimovski.