Anëtarët shqiptarë në Këshillin e Prokurorëve Publik, distancohen nga qëndrimi i kryetarit të këtij këshilli Petar Anevski për lëndën e Sopotit. Nënkryetari i këshillit Arbër Isaku dhe anëtari Mexhit Jusufi, shprehin qëndrimin e tyre se lënda Sopoti duhet t’i dorëzohet PSP-së.

“Qëndrimi anëtarëve shqiptarë në lidhje me rastin e “Sopotit”, edhe i imi edhe i nënkryetarit të këshillit është që rasti “Sopoti” si lëndë t’i dorëzohet Prokurorisë Speciale”, deklaroi Mexhit Jusufi, Anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publik.

Ai tha se kërkesa e Prokurorisë Speciale është kryekëput në përputhshmëri me ligjin për funksionimin e saj.

“Prokuroria Speciale mund të ndjek dhe hetojë të gjitha rastet, jo vetëm të periudhës 2008-2015, por edhe rastet e tjera kur përfshihet vepër penale edhe para vitit 2008. Ligji nuk e kufizon dhe nuk e ndalon një gjë të tillë. Do të thotë se definohet qartë se përcjellja e komunikimeve të paautorizuara nga 2008-2015, mirëpo këtu e ka fjalën për komunikimet. Ekziston dallim, për komunikimet dhe për veprat penale. Në asnjë mënyrë neni 2 paragrafi 1 nuk i ndalon dhe nuk i kufizon edhe veprat penale para vitit 2008”, tha Jusufi.

Në ligjin për Prokurorinë Speciale, neni 2, paragrafi 1 qartëson se në kompetencë të saj mund të jenë edhe lëndët që dalin nga përgjimet, por që kanë ndodhur para vitit 2008.

Ligji për Prokurorinë Speciale – Neni 2, paragrafi 1

“Ndjekje e paautorizuar e komunikimeve”, përkufizohet si ndjekje e paautorizuar e të gjitha komunikimeve të kryer në periudhën mes viteve 2008 dhe 2015, duke përfshirë por jo edhe duke kufizuar në audio incizimet dhe transkriptimet e parashtruara deri tek Prokuroria Publike para 15 korrikut 2015”

Ligji për Prokurorinë Speciale – Neni 11, paragrafi 2

“Pas kërkesës me shkrim Prokuroritë Publike obligohen që në afat prej 8 ditësh të dorëzojnë cilëndo lëndë ndaj të cilës veprojnë në mënyrë që të vendoset, nëse lënda bie në kompetencë të Prokurorisë Speciale në përputhje me autorizimet e caktuara në bazë të këtij ligji”

Nuk dihet nëse seanca e Këshillit të Prokurorëve do të mbahet para ose pas zgjedhjeve parlamentare. Por në atë seancë do të vendoset nëse këshilli do ta dorëzojë lëndën në Speciale apo jo. Për një gjë të tillë nevojiten votat e 6 prej 11 anëtarëve të Këshillit.Alsat-M