Aktivistët e Lëvizjes LEAD sot në ora 13:00 në ‘Etno Fshat’-in realizuan projektin “Në xhep, nëse s’ka ku tjetër”, ku pastruan parkun nga mbeturinat, njofton Fol.

Qëllimi i projektit “Në xhep, nëse s’ka ku tjetër” është të ngrihet vetëdija publike te qytetarët për ruajtjen e mjedisit jetësor. Për këtë qëllim, grupi i aktivistëve vendosën kapela dhe bluza me sloganin “Në xhep, nëse s’ka ku tjetër”.

Gjithashtu, aksioni mundëson që të rinj të bashkësive të ndryshme etnike të punojnë dhe të shoqërohen së bashku.

Ky ishte aksioni i pestë nga shtatë aksionet e planifikuara për pastrimin e pjesëve të ndryshme të Shkupit dhe rrethinës, në shtatë muajt e ardhshëm.

Projekti Në xhep, nëse s’ka ku tjetër, përkrahet nga Programi Civica Mobilitas, të cilin e zbaton NIRAS nga Danimarka, Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Instituti Suedez për Administratë Publike SIPU. /Fol/