Nuk gjen shumë sportistë sot në botë që në vendet e tyre kanë të ngritur statuja.

Duhesh të kesh të arritura të jashtëzakonshme, merita të mëdha, rekorde, për të fituar mundësinë e ndërtimit të një statuje.

Kush më shumë se Majlinda Kelmendi e meriton një gjë të tillë?

Kampionia e olimpike e Kosovës që me paraqitjet e saj dhe sukseset në xhudo ka kthyer shpresën të një popull i tërë, ka fituar një statujë nga Federata Botërore e Xhudos.

Është ky institucion që ka angazhuar artistët më të njohur në botë për të punuar statujën për Majlinda Kelmendin, e gjitha me shpenzimet e tyre.

Trajneri i Majlinda Kelmendit, Driton Kuka, ka bërë të ditur se statuja është gati, por që Komuna e Prishtinës ende nuk e ka përzgjedhur lokacionin për vendosjen e saj, pavarësisht se kërkesa është bërë me kohë.

“Statuja e Majlindës po vjen në Kosovë. Kërkesa e jonë nëpërmes Ministrisë drejtuar Komunës së Prishtinës qysh në muajt e verës deri sot ka mbet pa përgjigje. E kemi menduar statujën të ngrihet në kryeqytet si kampionia e parë dhe e vetme olimpike por kot”, tha Kuka.

“Kryetari i Prishtinës asnjë info për këtë çështje…”, ka shtuar ai.