Përderisa BDI-ja ka inkuadruar UÇK-në si pjesë e fushatës së saj, statusi i ish ushtarëve të UÇK-së mbetet i pazgjidhur. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Besim Hoda thotë se askush nuk ka të drejtë të përdorë idealin e UÇK-së vetëm në momente të caktuara ndërkohë që ka lënë mënjanë zgjidhjen e statusit të tyre dhe zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në përgjithësi.

“Në emër të UÇK-së mund të thirren të gjithë ata individë, grupacione apo subjekte politike të cilët përnjëmend kanë qasje drejt zgjidhjes së statusit të shqiptarëve në Maqedoni dhe absolutisht jo në momente parciale për të përmendur vetëm ligjin ndaj pjesëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të dëshmorëve. BDI-ja ka dështuar në përfaqësimin e vlerave të luftës dhe ka shkelur konkretisht mbi të gjithë atë gjak dhe ideal mbarëkombëtar”, tha Besim Hoda, Kryetari i OVL UÇK-së.

Mirëpo Artan Grubi nga BDI-ja nuk pranon se ish ushtarët e UÇK-së janë lënë mënjanë. Sipas tij, përveç në Institucione shtetërore, ata kanë mbështetjen e kësaj partie. Grubi madje mos zgjidhjen e statusit të ish ushtarëve e quan “lëshim të vogël”.

“Përdorimi i UÇK-së nuk është vetëm për fushatë zgjedhore për arsye se vetë Ali Ahmeti është UÇK-ja, vetë BDI-ja është pasuese e UÇK-së dhe shumica dërrmuese e ushtarëve janë në radhët e BDI-së dhe institucioneve të vendit. Ne jemi në kontakt të përhershëm, ata janë pjesë të strukturave tonë dhe institucioneve dhe në qoftë se ka pasur ndonjë lëshim të vogël, ne do t’ju qëndrojmë prapa”, deklaroi Artan Grubi, BDI.

Si pjesë e fushatës, është shfrytëzuar edhe fotografia e vetë kreut të BDI-së Ali Ahmeti me uniform të UÇK-së.

“Në një lagje në Komunën e Çairit është ngritur një bilbord me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti i veshur me uniformë të UÇK-së. Por nga ana tjetër, statusi i ish ushtarëve të UÇK-së nuk është zgjidhur që nga lufta e vitit 2001, përderisa statusi i forcave ushtarake – policore, është rregulluar me ligj”

Statusi i branitellave është zgjidhur shpejt pas luftës së vitit 2001 kurse shumë nga familjet e dëshmorëve, ish pjesëtarëve të UÇK-së dhe invalidëve të luftës, vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira.