Pas raundit të parë të të negociatave inkuadruese për anëtarësim në NATO, koordinatori nacional për NATO-, Stevo Pendarovski , deklaroi për MIA-n se është llogaritur shkalla e kontributit të Maqedonisë në buxhetin për NATO-n, pasi që ajo do të bëhet anëtare e Aleancës.

“Formula jonë është 0.0721 për qind nga buxheti i NATO-s. Do të më pyesni sa është ajo. Duhet fillimisht të shohim sa është buxheti i NATO-s, për shkak se varet nga kontributet e të gjitha 29-të vendeve anëtare. Megjithatë, kontributi ynë nuk do të duhet të ishte më i madh se 600 mijë – 700 mijë euro. Duke shikuar sipas shembujve të fundit krahasues të malit të Zi dhe Kroacisë, të cila këtu janë plus – minus të ngjashme me ne për nga madhësia dhe me ekonomitë”, deklaroi Pendarovski.

Shuma e saktë ende nuk dihet, por nuk pritet të jetë më ndryshe nga projeksionet mes 600 dhe 700 mijë euro dhe do të dihet në fund të vitit fiskal. Formula bazohet mbi kalkulimet e Bankës botërore të ndërlidhura me madhësinë e shteteve dhe BPV-së së saj, sqaroi Pendarovski.

Sa i përket buxhetit të Maqedonisë për mbrojtje, Maqedonia ka ndërmarrë detyrim deri në vitin 2024 që ta rrisë shkallën buxhetore kushtuar mbrojtjes në dy për qind. Momentalisht ajo arrin rreth një për qind.

Për kritikat në opinion se Maqedonia nuk ka nevojë që të ndajë kaq shkallë për mbrojtje, Pendarovski u përgjigj se edhe ai “do të donte të mos ndajmë para fare për mbrojtje apo siguri, megjithatë kjo nuk është e mundur”.

Këto dy ditë Maqedonia së bashku me ekipet e NATO-s zhvillon bisedime për pesë kapituj të kushteve për hyrje në Aleancë. Këto bisedime kanë të bëjnë si me kriteret politike, ashtu dhe me ato ushtarake dhe financiare.