Strategjia e Trumpit, reforma e tregtisë nis nga dita e parë

Donald Trump do ta nisë detyrën e tij me fushën që njeh më mirë, pikërisht tregtinë. Sipas një memorandumi të ekipit të tij të tranzicionit, që është siguruar nga CNN, që prej ditës së parë në Presidencë, Trump do të merret mbase me premtimin kryesor të fushatës së tij.

Në memorandum paraqitet një strukturë për politikat tregtare në 200 ditët e para në detyrë të presidentit të ri. Veç disa parimeve themelore, aty flitet edhe për rinegociimin apo tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja amerikanoveriore e tregtisë së lirë, që njihet me siglën “NAFTA”.

Sigurisht, në memorandum shkruhet se shumë gjëra mund të ndryshojnë deri më 20 janar 2017, kur Trump do të bëhet zyrtarisht president, por përvijimi i një plani për të ardhmen tregtare të Shteteve të Bashkuara është mëse i qartë.

Sipas memorandumit, administrata “Trump” do të shkëputet nga grupet globaliste të republikanëve e demokratëve dhe do të bëjë marrëveshje tregtare, që garantojnë interesat e punëtorëve dhe kompanive amerikane.

Në të shkruhet se, nëse “NAFTA” nuk rinegociohet, atëherë në ditën e 200 të Presidencës, Amerika do të tërhiqet nga ajo. Dokumenti nënvizon se, tërheqja nga “NAFTA” do të kishte pasoja negative për SHBA-të, të cilat gjithsesi mund të zbuten nëse Uashingtoni do të hartojë pakte të reja dypalëshe tregtare me Kanadanë dhe Meksikën.

Memorandumi flet edhe për shënjestrimin e Kinës si një “manipulator i valutës”, ndërsa duket se ekipi i Trumpit ka ndërmend që të përfshijë komunitetin e inteligjencës në botën e tregtisë.