Shprehja e pakënaqësisë nga qytetarët ndaj partive në pushtet dhe sidomos asaj shqiptare, është një tregues se fushata parazgjedhore do të jetë e nxehtë, kur nuk përjashtohen edhe incidentet. Kështu deklarojnë analistët politik, në prag të fillimit të fushatës e cila zyrtarisht nis më 21 dhjetor. Analisti Sasho Ordanovski, thotë se për shkak që këto zgjedhje do të jenë kyçe për ikjen e një ekipi që mbi dhjetë vite është në pushtet,  do të kemi fushatë zgjedhore intensive dhe të ngarkuar, ku nuk përjashtohen incidentet.

“Patjetër të potencojë se, posaçërisht më shqetëson dhe madje dhe më frikëson tek votuesit shqiptarë, për shkak se realisht arrihet deri tek një ndryshim i mënyrës së menduarit të votuesit shqiptarët, pas një pakënaqësie evidente prej asaj se si dy partitë më të mëdha, e posaçërisht BDI i përfaqësojnë në pushtet. Por, edhe ajo simbiozë me VMRO-në e cila nuk është natyrore jo vetëm politikisht, por nuk është natyrore edhe për vlera të tjera në disa kategori”, deklaroi Sasho Ordanovski, analist politik.

Ndërsa politologu Xhenis Sulimani, thotë se duke u nisur nga fjalori banal i bartësve të listave të partive të ndryshme, në disa njësi zgjedhore, nuk është çudi nëse gjatë fushatës arrihet edhe deri tek incidentet.

“Sepse kjo retorikë banale të cilën e propagandojnë disa politikanë mund të rezultojë vetëm me incidente, kjo nuk është pjesë e kulturës politike të disa politikanëve që nesër dëshirojnë të jenë përfaqësuesit e popullit në Kuvend, prandaj apeloj që populli ti detektojë këta politikan që ngjallin urrejtje dhe bëjnë presione ndaj atyre që kanë mendime ndryshme. Së fundmi kishim edhe presione ndaj mediave që do të thotë se kjo është një parathënie e zgjedhjeve të cilat sipas meje do të jenë më të këqijat në historinë e Maqedonisë”, tha politologu Xhenis Sulimani.

Analistët vlerësojnë se javët e fundit është koha kur të gjithë njerëzit e përgjegjshëm duhet të mendohen se çfarë bëjnë, ndërsa faktori ndërkombëtar duhet të angazhohet në mënyrë të posaçme dhe vazhdimisht të apelojë se dhuna në procesin zgjedhor është e patolerueshme.