Disa nga vendet më të rëndësishme në pushtetin e ri lokal në Strugë që gjatë kohës së Zijadin Selës udhëhiqeshin nga kuadro shqiptarë, Ramiz Merko do të duhet t’ia japë LSDM-së. Burime partiake nga partia e Zaevit për Alsat M thonë se si rezultat i mbështetjes publike që ai dhanë Merkos në raundin e dytë, do kërkojnë post presidencial në këshillin komunal, sekretar komune, drejtor të ndërmarrjeve publike, si edhe disa punësime. Merko, i cili në rrethin e dytë fitoi në pothuajse të gjitha vendbanimet maqedonase, për Alsat M pohon se është përgatitur një marrëveshje.

Interesant do të jetë edhe matja e forcave në këshillin e qytetit, ku BDI-ja dhe Merko tani për tani nuk kanë shumicën e nevojshme. Më shumë këshilltarë ka grupi i Aleancës për Shqiptarët, tetë gjithsejtë të cilët tanimë kanë konfirmuar bashkëpunimin me dy këshilltarët e Lëvizjes BESA.

Koalicioni me BDI-në do të vazhdojë të funksionojë siç është edhe koalicioni në nivel qendror. Do të punojmë në zbatimin e programit të përbashkët që do të përfshijë edhe fushatën parazgjedhore të LSDM-së- tha Nikolina Velkoska – bartëse e grupit të LSDM-së.
Në këtë përbërje të këshillit BDI ka gjashtë përfaqësues, ndërsa LSDM-ja shtatë, që së bashku kanë 13 këshilltarë. Aleanca dhe Besa së bashku i kanë 10. Kjo do të thotë se nga katër këshilltarët e VMRO-DPMNE-së do të varet se kush do e ketë shumicën në Këshillë. Ndërkohë ngaa partia e Gruevskit theksojnë se edhe pse për momentin nuk kanë marrëveshje me asnjë parti tjetër, por në varësi të negociatave të mundshme, do të vendosin se si do të veprojnë./Alsat