Vendimi për falje i presidentit Gjorge Ivanov ka revoltuar në masë të madhe edhe studentët e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, veçanërisht ato të Fakultetit Juridik ku presidenti Ivanov ishte profesor deri në momentin e zgjedhjes së tij për president. Në shenjë revolte, një grup studentësh ka bllokuar procesin arsimor duke larguar nga mësimi studentët e tjerë të cilët po mbanin ligjërata nëpër kabinete. Studentët kishin ngjitur edhe parulla të ndryshme ku shkruhej:” Ivanov fashist”, “Profesor nuk do ta falim”, “Fakulteti Juridik cili është qëndrimi yt” dhe shumë e shumë parulla të tjera. Mes tjerash, studentët e shpallën edhe “person non-grata” presidentin Ivanov.

“Arsyeja më e rëndësishme e ndërprerjes së mësimit për ditën e sotme është se mendojmë që është jo korrekte që studentët e Fakultetit Juridik të mbajnë orë ndërsa kolegia jonë, studente e Fakultetit Juridik është momentalisht në paraburgim pas protestave të mbrëmshme në të cilat ajo bashkë me ne kërkuam drejtësinë, atë për të cilën edhe mësojmë në këtë fakultet. Të drejtën dhe drejtësinë . Studentët i apelojnë Ivanovit se për të nuk ka vend në këtë fakultet, pas përfundimit të mandatit të tij. Me plotkuptimin e fjalës është person non-grata në Fakultetin Juridik, ky është qëndrimi i studentëve të Fakultetit Juridik, jo i profesorëve”, tha Goran Tanveski, student.

Studentët njoftuan se kanë kërkuar të takojnë edhe profesoreshën e të drejtës kushtetuese, Tanja Karakamisheva por ajo ka refuzuar studentët duke i filmuar me telefonin e saj. Ata madje thonë se kërkojnë dorëheqjen edhe të profesoreshes Karakamisheva e cila llogaritet si mbështetëse e fuqishme e vendimit të presidentit Ivanov.

Siç bënë të ditur studentët, ata do të vazhdojnë të marrin pjesë në protesta deri në dorëheqjen e presidentit Ivanov.