Gjashtë nga 10 të rinj në vend konsiderojnë se assesi nuk mund të ndikojnë në atë se si punojnë autoritetet, ndërsa një e treta e tyre besojnë se Maqedonia e Veriut pas pesë vitesh do të jetë vend më i mirë për jetesë për të rinjtë, tregojnë të dhënat që janë prezantuar në konferencën e sotme të organizuar nga Fondacioni Vestminister për Demokraci (FVD) dhe Forumi Arsimor Rinor (FAR).

Sipas këtyre të dhënave, 60 për qind e të rinjve besojnë se Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtare e BE-së, derisa 70 për qind konsiderojnë se ajo do të ndodhë në pesë vitet e ardhshme. Të rinjtë të cilët besojnë në perspektivën evropiane të vendit janë më pak të disponuar të largohen nga vendi, derisa ata të cilët janë të angazhuar qytetarisht janë më të kënaqur në vendin e tyre në shoqëri nga moshatarët e tyre.

Në fjalimin në konferencë, ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASH), Arbër Ademi ka vlerësuar se rezultatet e këtyre hulumtimeve janë me rëndësi për institucionet, pasi ato janë indikator i kënaqësisë të të rinjve nga pjesëmarrja e tyre dhe përfshirja në shoqëri.

“Përmes këtij hulumtimi iniciohen ide të reja dhe mundësi për bashkëpunim. Disa nga konkluzat që nuk janë prezantuar, janë përfshirë në ligjet e reja në arsim përmes të cilëve mundësohet përfshirje më e madhe e nxënësve në procesin e vendimit për programet në shkollat e tyre”, ka thënë Ademi.

Ambasadorja britanike në vend, Rejçel Gaollouej ka thënë se rezultatet e hulumtimit tregojnë se vetëm tre për qind e të rinjve janë të kënaqur me vendin e tyre në shoqëri.

“Kjo fotografi patjetër të ndryshojë pasi është me rëndësi të kemi të rinj të fuqishëm, të shëndetshëm dhe të angazhuar. Për këtë e mbështesim projektin e FVD-së dhe punën e tyre për rritjen e nivelit të pjesëmarrjes politike dhe institucionale. Ky është një nga elementet kyçe për rritjen e përfshirjes më të madhe të rinjve dhe angazhimit në shoqëri”, ka shtuar Gallouej.

Përfaqësuesi i FVD-së, Damir ⬡⬡⬡⬡ ka thënë se hulumtimi është i titulluar “Apatia, optimizëm ose dëshpërim?”, tre fjalë që siç tha, “në mënyrë perfekte i sublimojnë qëndrimet e të rinjve lidhur me vendin e tyre në shoqëri”.

Pjesëmarrësit në konferencë kanë vlerësuar se të dhënat nga hulumtimi nuk janë befasues nëse merret parasysh se 85 për qind e të rinjve nuk janë konsultuar me autoritetet, as edhe në nivel lokal e qendror.

Qëllimi i studimit është të jepen më shumë informacione për perceptimet e të rinjve dhe politikat dhe qasjet që duhet të ndërmerren me qëllim të përmirësohet pozicioni i tyre në shoqëri, për çka njerëzit e rinj duhet të jenë lartë në listën e autoriteteve nacionale dhe lokale, institucionet arsimore, organizatat qytetare dhe mediat që të përkrahet pjesëmarrja e tyre aktive në rrjedhat shoqërore.