Autoritetet në Prishtinë thanë se persona të panjohur sulmuan të mërkurën në mëngjes drejtorin e burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj, i cili po trajtohet në spitalin e Prishtinës nga lëndimet që ka pësuar gjatë sulmit.

Policia tha se ka filluar hetimet për zbardhjen e rastit i cili po trajtohet si vepër penale “sulm ndaj personit zyrtar dhe lëndim trupor”, por tash për tash nuk ka njohuri për autorët apo motivet e mundshme të sulmit.

Ministria e Drejtësisë e dënoi ashpër sulmin ndaj zotit Zogaj, duke bërë thirrje për ndriçimin sa më të shpejtë të tij.

Thirrje për ndriçimin e sulmit bëri edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut i cili e konsideron atë “si sulm ndaj institucioneve shtetërore dhe përpjekje për të kontrolluar nga ana e krimit një segment shumë të rëndësishëm siç është Shërbimi Korrektues i Kosovës që po përballet me probleme të shumta pikërisht për shkak të ndërhyrjeve politike”.

Këshilli kërkon po ashtu “rritjen e sigurisë për ata që drejtojnë institucionet me rëndësi”, ndërsa nënvizon se “ky sulm është përpjekje për frikësim, inkurajim për kriminelët, shtytje për urdhërdhënësit dhe dekurajim për drejtësinë”.