Gazeta e Berlinit «Tageszeitung», e cila ka qenë një mbështetëse e lirisë së Kosovës që nga fundi i viteve ’80, shkruan se rinia kosovare është e zemëruar me «heronjtë e luftës», të cilët po e sundojnë Kosovën me klientelizëm dhe korrupsion. Jo vetëm ish-komandantët tani kanë frikë se Vetëvendosje mund të fitojë mbi 30 për qind të votave dhe të dalë si fituese e zgjedhjeve

Kur në maj presidenti i Kosovës i shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ai besonte se partia e tij (PDK) e kishte të sigurt fitoren, shkruan gazeta gjermane «Tageszeitung». Por, pak ditë më vonë ish-komandantët e UÇK-së, të cilët prej vitesh luftojnë njëri-tjetrin, u bashkuan në një koalicion parazgjedhor. Si kandidat për kryeministër u përzgjodh Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje më 2005 për t’u përgjigjur para Tribunalit të Hagës për krime të luftës. Ky koalicion «komandantësh» rrumbullakohet nga Fatmir Limaj, i cili akuzohet për korrupsion dhe krime të luftës. Sipas gazetës krijimi i këtij koalicioni nuk është pritur mirë nga rinia kosovare, e cila është e zemëruar me «heronjtë e luftës», të cilët po e sundojnë Kosovën me klientelizëm dhe korrupsion.

«Alternativa e vërtetë është Vetëvendosja e Albin Kurtit. Ish-lideri studentor, i lindur në Prishtinë më 1975, ka qëndruar me vite në burgje serbe dhe më 2000 është liruar. Së shpejti ai themeloi Lëvizjen Vetëvendosje, të cilës iu bashkuan të rinjtë. Ai kritikoi korrupsionin e elitës sunduese – jo vetëm të kosovarëve, por edhe të Misionit të OKB-së. Pas pavarësisë së vendit ai e shndërroi lëvizjen e tij në parti, e cila në zgjedhjet e para në të cilat mori pjesë përnjëherë fitoi 12 për qind të votave. Suksesi i saj i madh ishte fitorja e zgjedhjeve lokale në Prishtinë më 2013. Ish-aktivisti i shoqërisë civile dhe absolventi i Harvardit Shpend Ahmeti u zgjodh kryetar i Prishtinës. Ai ia doli t’i kundërpërgjigjet kaosit urban me plane, ta shndërrojë qendrën e Prishtinës në zonë këmbësorësh dhe t’i jap fund kaosit në trafik. Jo vetëm ish-komandantët tani kanë frikë se Vetëvendosje mund të fitojë mbi 30 për qind të votave dhe të dalë si fituese e zgjedhjeve. Kjo do të ishte një tronditje edhe për institucionet ndërkombëtare në Kosovë», shkruan «Tageszeitung». (dp)