Taravari: BESA tregon hapur se nuk janë të gatshëm për ta luftuar pushtetin e BDI-së

Sekretari i LR PDSH, Arben Taravari ka reaguar ndaj qëndrimit të fundit të Lëvizjes BESA e cila ofertën për bashkëpunim e kualifikoi si “hipokrizi”.

Më poshtë e keni postimin e plotë.

Lideri i LR PDSH Ziadin Sela i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij politike është i detyruar nga morali në politikë që të kërkojë vazhdimisht zgjidhje, pra unifikim e opozitës shqiptare në Maqedoni. Këtë ai e bën duke u përpjekur që Lëvizja BESA të jetë plani i përbashkët strategjik i shqiptarëve të Maqedonisë. Sidomos, kur ndien përgjegjësi politike dhe morale përpiqesh me çdo kusht t’i bësh ftesë tjetrit për bashkëpunim, me arsyen e shëndoshë ndaj unifikimit të spektrit opozitarë si reflektim kundrejt të keqes së këtij pushteti.

Pra, ftesa në këtë rast duhej të cilësohej nga Lëvizja BESA si një mundësi për ta shqyrtuar seriozisht. Ndryshe, Ziadin Sela përkundër ftesës së vazhdueshme për bashkëpunim me Lëvizjen BESA, këta përmes zëdhënësit të tyre vollën vrer, duke e etiketuar me shprehjen “hipokrit”, edhe atë për të vetmen arsye: se kërkon zgjidhje dhe unifikim të spektrit opozitar për ta luftuar politikisht të keqen që po na imponohet.

Etiketimi i llojit “hipokrit” nuk është asgjë tjetër, përpos ikje nga përgjegjësia për t’u unifikuar spektri opozitar, dhe se ky veprim i Lëvizjes BESA tregon hapur se nuk janë të gatshëm për ta luftuar pushtetin e BDI-së, porse taktizojnë me mjetet e tyre që tashme popullin po e bindin për të keqen e tyre. Megjithatë, LR PDSH, si opcion politik mbetet në parimin e saj duke vazhduar të kërkojë me të gjitha metodat dhe mekanizmat e mundshme për faktorizimin e shqiptarëve. Me plotë bindje dhe arsye kolektive shoqërore e politike, LR PDSH do ta sigurojë popullin se asnjëherë etiketimeve ofenduese të tipit “hipokrit”, “sarhoshët”, “kriminelët”; përkundër kësaj gjuhe, ne nuk do t’u përgjigjemi me gjuhë të tillë injorantësh dhe aq më pak joetike, por se do t’u përgjigjet me zgjuarësi politike dhe me fjalor miqësor, dhe se ne vend të etiketimeve, do të përdor ftesën e pajtimit për bashkërenditje politike për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve. Së fundmi, është një thënie e Prof. dr. Josif Papagjonit, kritik i artit, i cili thotë: “Të mëdhenjtë i bëjnë vend njëri-tjetrit, ndërsa të vegjëlit ia hanë vendin njëri-tjetrit”.