Edhe sekretari i përgjithshëm i LR PDSh – së, Arben Taravari, ka reaguar ndaj deklarimeve të fundit të udhëheqësit të opozites Zoran Zaev, i cii tash së fundmi ka deklaruar se Maqedonia pa nevojë e ka prishur miqësinë me Sërbinë, duke votuar ‘Pro’ Kosovës lidhur me anëtarësimin e saj në UNESCO.

Taravari në një prononcim për portalin Sakte.net ka thënë se Zaev ka pretendime të jetë kopje e Nikolla Gruevskit.

“Shpesh e kemi thënë se ne Maqedoni ka nevojë për një marrëveshje të re politike Shqiptaro-Maqedonase. Pasi këtu problemi nuk janë vetëm politikanë të caktuar, por sistemi shtetëror i cili vazhdimisht i diskriminon shqiptarët, ku me ç’rast tek popullata shqiptare kjo gjë u krijon frustrime shoqërore. Ju e dini se këtu ekziston një revolucion i larmë të cilin e udhëheq lideri i opozitës maqedonase z.Zoran Zaev, dhe të njëjtën pa rezervë e përkrahin edhe disa shqiptarë dhe disa parti politike shqiptare, të cilët mendonin se Zaevi është më ndryshe se Gruevski, madje këta shqiptarë shkonin aq larg sa nuk ngurronin t’i lidhnin flamujt maqedonas dhe shqiptar. Ne mendonim ndryshe dhe padyshim ishim skeptik që me kështu liderësh do ketë ndryshime rrënjësore në Maqedoni. Kjo edhe një herë tregon se Zoran Zaev për fat të keq ka pretendime të jetë një kopje e Nikola Gruevskit, dhe se sistemi nuk ndryshon dot me kësi pikëpamjesh që servon politika e Zaevit”, ka deklaruar Taravari.

Sipas tij, deklarata e Zaevit duket më tepër tendencioze, sesa politike. Zgjidhje e vetme për sekretarin e LR PDSh – së, Arben Taravarin mbetet platforma e përbashkët shqiptare.

“Platforma e shqiptarëve duhet të luftojnë bindjet hermetike të politika e maqedonase që në esencë shteti të trajtohet si barabarësi e plotë. Shqiptarët kësaj radhe duhet të vendosin vija të kuqe me kërkesa, të cilët duhet me çdo kusht të plotësohen, me të vetmin qëllim që ky shtet të jetë funksional dhe çdo qytetar i këtij shteti, Maqedoninë ta përjetojnë si atdhe të vetin”, shprehet Taravari.

Gjatë ditës, reagime për deklarimet e Zoran Zaev pati edhe nga nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi. Në një prononcim për portalin Sakte. net Ibrahimi tha se Lëvizja BESA është për një Maqedoni të kthyer kah Kosova dhe Shqipëria, ndërsa secili që mendon se do të gjejë politikanë si Ali Ahmeti, që e lejojnë aleancën e vëllazërinë me Serbinë në dëm të shqiptarëve dhe në dëm të Kosovës, duhet ta dinë se kanë kalkuluar gabimisht./Sakte.net