Shkup, 6 qershor – Protesta e sontme e asociacionit qytetarë Protestoj është përkrahur edhe nga lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev i cili së bashku me bashkëpunëtorët e tij kanë qenë në vijën e parë të protestës duke sulmuar kështu edhe ndërtesat qeveritare e duke shprehur mllefin e tyre, njofton Zhurnal.

Ajo që ka rënë në sy sonte ka qenë prania e kreut më të lartë të lëvizjes Besa si krah i djathtë i LSDM-së. Në fotot e siguruara nuk mund të dallohen nëse Zeka, Gashi, Kastrioti e Muki janë nga Besa apo janë pjesë e LSDM-së pasiqë shihen shumë afër Zaevit, Spasovskit e madje një rend para ish ministres Remenski.

E gjithë kjo pamje bie ndesh me deklaratat e fundit të nënkryetarit të kësaj lëvizje Zeqirija Ibrahimi i cili për deklaratën e fundit të Zaevit mbi raportet me Kosovën është përgjigjur:

“Një gjë duhet ta dinë të gjithë politikanët maqedonas të Maqedonisë: nëse ata kanë rezerva ndaj kërkesave të Republikës së Kosovës, kjo nënkupton se edhe Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë do të kenë rezerva ndaj tyre. Këtë nuk do t’ia dëshiroja askujt në Maqedoni”, kështu ka deklaruar Zeka i cili ditën e shan ndërkohë që natën i del si krah i djathtë liderit maqedonas Zoran Zaev.

Nga kjo lind pyetja, cila është strategjia e lëvizjes Besa, cilat janë motivet dhe arsyet që përkrahin kaq shumë Zaevin dhe çfarë premtimi ju ka dhënë ai atyre!?

Ndryshe kryetari i partisë opozitare maqedonase – LSDM, Zoran Zaev, në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, ka thënë se qeveria e Maqedonisë në mënyrë të panevojshme i ka prishur raportet miqësore me Serbinë, në momentin kur ka votuar pro pranimit të Kosovës në UNESCO dhe duke lejuar që kishat ortodokse serbe t’i dorëzohen palës kosovare, njofton Zhurnal.mk

Sipas tij Maqedonia ka pranuar pavarësinë e Kosovës, është dashur që ky vend të mendojë mirë gjatë votimit në UNESCO.

“Ne e kemi pranuar Kosovën dhe ky proces është i përfunduar. Por, Maqedonia është dashur që të jetë shumë e vëmendshme kur ka votuar për një çështje e cila nuk ka qenë politike, por fetare dhe shumë e ndjeshme për popullin mik serb”, ka thënë Zaev.

Kreu opozitar i Maqedonisë ka folur edhe për problemet mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni lidhur me vendosjen e shtatores së “Car Dushanit” në Shkup dhe ka vlerësuar se deri te ky kontestim ka ardhur për shkak të qeverisjes “kuazi-patriotike” të VMRO-DPMNE-së së ish-kryeministrit, Nikola Gruevski. Zaev ka shtuar se raportet mes Maqedonisë e Serbisë duhet të përmirësohen, sikurse me të gjitha shtetet fqinje.

“Marrëdhëniet e Serbisë dhe Maqedonisë patjetër të përmirësohen, ashtu si edhe marrëdhëniet me shtetet fqinje tjera. Me Serbinë, kjo duhet të jetë lëvizja e parë e Maqedonisë. Vendet fqinje duhet të jenë miqtë e parë të Maqedonisë , në qoftë se ne duam që Evropa të na konsiderojë miq, bota gjithashtu të na konsiderojë si një mik “, tha Zaev në pyetjen se çfarë lloji të politikës së jashtme do të ndjek nëse vjen në pushtet.

Lideri i LSDM-së ka kritikuar qeverisjen aktuale të Gruevskit se po i prish raportet me të gjitha shtetet fqinje të rajonit duke përfshirë Serbinë, Greqinë, Bullgarinë dhe Shqipërinë.

“Nuk është e mundur që të gjithë të jenë fajtor. Ka shumë arsye se pse Maqedonia ka marrëdhënie të këqija me fqinjët. Marrëdhëniet diplomatike patjetër të kompletohen, të jemi të gatshëm të ndajmë historinë e përbashkët dhe kjo të jetë një urë që na bashkon, e jo që na ndan”, njofton Zhurnal.mk.

13318854_1749276072023390_2029569689_n 13383768_1749276075356723_1512311679_o 13405175_1749276082023389_813003640_o