Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kandidati për president Arben Taravari sot ka qenë i intervistuar nga emisioni Politiko në televizionin Kanal 10. Taravari ka shprehur qëndrimin e tij për përkrahjen që koalicioni VLEN merr nga Vetëvendosja dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke e quajtur si një veprim normal dhe të duhur.

‘Zoti Kurti, ka qeverisur në katër vite pa asnjë skandal dhe problematikë të thelluar në qeverisje. Ai ka një kredibilitet të lartë në Kosovë, por më shumë se në Kosovë, ka një kredibilitet më të lartë tek shqiptarët në Maqedoni të Veriut dhe Luginës së Preshevës. Përkrahja e tij ndaj nesh, është legjitime, merrni shembull ku Erion Velija përkrahu në vitin 2021 kandidatin e LSDM-së për qytetin e Shkupit Petre Shilegov apo Lutfi Haziri që përkrahu kryetarin e komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievskin. Por mos të harrojmë, një kohë të gjatë BDI-ja ka pasur përkrahje nga PDK-ja, që nga viti 2008 e deri këndej vazhdon të ketë të njëjtën përkrahje. Andaj përkrahja e Albin Kurtit për ne si opozitë shqiptare, është shumë legjitime dhe e duhur’ – theksoi Taravari.