E enjte, 30 Maj, 2024
Ballina Lajme Kryesoret Të dënohen Gjyqtarët që stërzgjasin procedurat gjyqësore!

Të dënohen Gjyqtarët që stërzgjasin procedurat gjyqësore!

Mosveprimi i bartësve të funksioneve në administratën shtetërore, në dy prej tre shtyllave të saj, edhe atë në ekzekutiv dhe gjyqësor, për dallim prej parlamentit, kushtëzon jo vetëm përgjegjësi politike por edhe përgjegjësi penale. Këtu shpesh ngatërrohen konceptet e a.q. heshtja e administratës dhe përgjegjësia e ngarkuar me ligj për të vepruar, pa marrë parasysh vullnetin e politikës ditore.

Në fakt, vetëm pjesëtarët e pushtetit të parë, deputetët nuk mbajnë përgjegjësi penale për “fjalën e thënë” në parlament, por kanë vetëm përgjegjësi politike dhe nuk mund të ndëshkohen penalisht për mosveprim dhe moskryerjen e detyrës zyrtare të deputetit, për të cilën janë zotuar se do ta bëjnë, dhe si pasojë janë zgjedhur për ta realizuar premtimin e dhënë, por që s’e kanë mbajtur, pra i kanë gënjyer dhe mashtruar zgjedhësit e tyre!

Megjithatë, nëse ata nuk do të mbajnë përgjegjësi penale për fjalën e thënë në parlament, kjo nuk do të thotë se ata nuk duhet ta thonë asnjë fjalë, madje as të mos shkojnë fare atje, qofshin ata edhe kryetarë të partive! Kjo fundja e pasqyron edhe moralin e tyre politik, sepse nëse nuk e kanë ndërmend të marrin pjesë aktive në seanca parlamentare, nuk është e domosdoshme edhe të kandidohen, sepse urdhrat dhe komandat lirisht mund t’i japin direkt nga selia qendrore e partisë, dhe jo ta ngulfasin zërin dhe ta dobësojnë forcën e përfaqësimit politik të atyre që i kanë zgjedhur të flasin në emrin e tyre!

Por, nga momenti që përfaqësues të caktuar politikë kanë pranuar dhe marrë për sipër të udhëheqin me pushtetin ekzekutiv, dhe nëpërmjet të sektorëve të caktuar të ekzekutivit apo komisioneve parlamentare janë zgjedhur apo votuar të udhëheqin dhe të jenë pjesë përbërëse të administratës dhe gjyqësorit, të njëjtët nuk munden tashmë t’i shmangen këtij lloji të përgjegjësisë përpara qytetarëve, që në drejtësi përkufizohet me termin ”përgjegjësi penale”. Dhe përgjegjësi penale nuk do të mbajnë vetëm nëse e shkelin ligjin duke kryer një vepër të caktuar penale, si tejkalimi i kompetencave dhe keqpërdorimi i detyrës zyrtare, por edhe nëse nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim që u është kërkuar atyre me procedurë të parashikuar zyrtare, të ngritur nga një individ apo grup i caktuar interesi, apo që është dashur ta ndërmarrin ex-officio!

Mu këtu edhe qëndron çështja e ngatërrimit të përgjegjësisë politike apo qytetare me atë penale, sepse bartësit e funksioneve të larta në administratën shtetërore, në qeveri apo gjyqësor, që nga momenti i zgjedhjes apo emërimit nuk e kanë më luksin të heshtin dhe të mos marrin asnjë veprim, vetëm sepse kanë marrë një urdhër partiak nga lart. Bindja e verbër ndaj urdhrave partiakë i fut ata në telashe me ligjin me të cilin herët apo vonë do t’u duhet të përballen edhe atë në mënyrë individuale dhe jo kolektive. Heshtja e tyre dhe mosveprimi në suaza të kompetencave të ngarkuara ligjore jo vetëm që i dëmton interesat e parashtruesve të kërkesave, me vetë faktin që atyre u mohohet apo vonohet realizimi i të drejtave qytetare apo ekonomike, por i dëmton edhe interesat e qytetarëve të tjerë, të cilët e humbin pastaj besimin në gjyqësi dhe kësisoj privohen nga e drejta e ‘sigurisë juridike’, si një ndër parimet më të larta kushtetuese.

Pastaj, kush duhet të jetë garanti dhe shtylla e fundit e mbrojtjes së ligjit dhe sigurisë juridike të qytetarëve nëse jo gjyqësori, i cili është i ngarkuar me ligj, si hallka e fundit e a.q. pushtetit të tretë, që duhet ta mbrojë qytetarin nga keqpërdorimet dhe mosveprimi i bartësve të funksioneve qeveritare?! Dhe çka bën gjyqësori në këtë drejtim? Mu ai që duhet t’i mbrojë të gjithë nga të tjerët që bëjnë krim dhe e shkelin ligjin, me aktin e mosveprimit dhe moskryerjes së detyrës zyrtare, bëhet bashkëpunëtor dhe bashkëpjesëmarrës në krim, sepse me heshtjen e tij i lejon dhe mundëson pushtetit të dytë, pra ekzekutivit të vazhdojë ta shkelë edhe më fort ligjin, dhe së bashku, me të dyja këmbët ta varrosin atë, deri në pakthyeshmëri!

Pse pjesëtarët e gjyqësorit e lejojnë këtë, a frikësohen vallë për jetën apo për rehatinë nëpër postet e tyre, kjo është çështje e moralit të tyre qytetar, por nëse ky është shkaku që ata t’i zvarrisin procedurat dhe fshehin dosjet nëpër sirtarë derisa të ndërrohet pushteti ekzekutiv, që pastaj t’u vërsulen të njëjtëve si ‘luaj’, dhe në këtë mënyrë t’u shërbejnë me po aq devotshmëri pushtetarëve të rinj, kjo nuk është çështje e lirisë së tyre të zgjedhjes, sepse me këtë, ata nuk kanë zgjedhur ta bëjnë ‘me nder’ punën e tyre, për çka edhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi penale për shkak të moskryerjes së detyrës zyrtare.

Përfundimisht dëshmohet thënia universale se faji nuk është jetim, sepse fajtorë janë edhe ata që e bëjnë por edhe ata që e lejojnë të ndodhë një krim, edhe pse nuk kanë kontribuuar direkt në ndodhjen e tij, por në mënyrë indirekte me mosndëshkimin e kryerësve kanë krijuar hapësirë dhe klimë të volitshme për vazhdimin dhe thellimin e tij.

Dhe tash parashtrohet sërish pyetja dhe dilema e kakmotshme latine: “Kush do t’i ruaj gardianët e ligjit?”. Kuptohet që këtë s’duhet ta bëjë pushteti i dytë apo qeveria, sepse i vjen që ata e ruajnë njëri tjetrin, dhe e pësojnë të gjithë të tjerët që nuk janë në ekipin e tyre. Nëse është kështu, Zoti na ndihmoftë! /portalb.mk 

doc-dr-dervish-alimi-fakulteti-filologjik-1-250x250

Opinion nga Dervish Alimi