“Ka qenë shumë e vështirë me largu fashën dhe me pa vetën në pasqyre… Kam hy e kam hequr fashën dhe kam qajtur gjysmë ore të mira… Flokët më kanë ra në javën e dytë. Ajo ka qenë pak ‘boom’ për mua, pas operimit ka qenë sendi i dytë që më ka ra kresë”. Me këto fjalë 42 vjeçarja përshkruan betejën e saj me një sëmundje aspak të lehtë.

Në vitin 2018, sëmundja i erdhi si ‘shuplakë’, me të njëjtën vazhdoi të jetoi, në trupin e njëjtë, por më e fuqishme dhe me mendime ndryshe rreth jetës. Ishte kujdesur gjithmonë për shëndetin, por që muajve të fundit asaj i kishte rënë shumë imuniteti, rastësisht e kishte zbuluar edhe sëmundjen.

Arnisa Osmani nga Prishtina po rrëfen historinë e saj personale dhe luftën e fituar të kancerit të gjirit.

“Të gjitha këto kanë ndodhur në vitin 2018. Në vitin 2018 kom pasur pak probleme shëndetësore, imunitetin e kam pasur të dobët. Shumë shpesh edhe u ftohsha edhe gripa kam kaluar shumë. Vetë nuk e kam dit se qysh edhe pse kam shkua te mjeku. Mandej shoqet më kanë tregua që dy-tre muaj më herët ju kam thënë që diçka jam tu vërejt në gji. Tash po i marrë këto informata… Por, prapë nuk kam shkua te mjeku me mendje me shkua te mjeku me u kontrollua. Kam qenë në pushim, jam kthye prej pushimit edhe gjatë shtatorit vetëm unë ndi diçka në gjirin e majtë. E ndijsha si një kokërr, kom pas edhe si kruarje përfundoi gjirit. Edhe një ditë kur jam pastrua para pasqyrës edhe një kontroll vetës ja kam bërë edhe e vërejta një si kokërr në gjirin e majtë, që nuk ishte lëvizëse. Në të njëjtin vend në gjirin e djathtë ishte edhe një kokërr, mirëpo ajo lëvizke”, tregon ajo për KosovaPress.

Nga një kontroll e thjeshtë që ia bënte vetës, ajo caktoi kontroll edhe tek profesionistët për të parë se çfarë po ndodhte me trupin e saj.

Nuk e kishte menduar që do të ishte kancer, por që ndodhi pikërisht e njëjta.

“Kur filloi me ultrazë, unë e pash që edhe mimikat e fytyrës së saj filluan pak me ndryshua. Nuk më erdhi mirë. I thash: doktoreshë a ka diçka të keqe? Ma boni: ‘Arnisa është një gjëndër e keqe’. Tash nuk po dua me përqindje, por keq ka qenë…’ Normal unë aty për aty nuk jam diagnostifikuar, por veç më ka thënë: ‘Arnisa një send po dua me ta thënë. Por, ty të ka çua Zoti’. E, që është e vërtetë. Unë jam e fortë, nuk kam bërë panik. Sendi i vetëm që ka qenë në ato momente, vetëm më kanë shkua dy lotë. Edhe doktoresha mi ka kap duart më ka thënë ‘Çika jem nuk ka lotët se të bie imuniteti, prej nesër fillojmë me kontrolle dhe incizime edhe te kirurgu me shkua’”, vazhdon ajo rrëfimin.

Pasi mori lajmin, atëkohë 40 vjeçarja, të nesërmen iu nënshtrua analizave dhe vizitave të tjera. Me 1 tetor edhe kishte përfunduar intervenimin e parë, e pas dy javëve ajo u detyrua që të intervenojë edhe për herë të dytë.

Pas kimioterapive, ajo kishte përfunduar edhe 25 rrezatime, të cilat e kishin lodhur shumë.

“Intervenimi i parë nuk është që nuk doli i suksesshëm, tamon puna. Mirëpo, me biopsi u pa që është kancer. Krejt kjo ka ndodhur prej 17 shtatorit. Më 1 tetor kam hyrë në intervenim. Intervenimi i parë ka qenë biopsia dhe pas dy javëve ka qenë intervenimi i dytë. Krejt për një kohë shumë të shkurtër. A ka qenë lehtë, nuk ka qenë hiç. A kam pasur përkrahje kam pasur shumë… Përkrahjen më të madhe e kam pasur mamin, e kam pasur vëllain, mandej vjen familja e ngushtë dhe e gjerë, shoqëria, kolegët”, shton Osmani.

Arnisa kishte qëndruar e fortë edhe pasi kuptoi që brendinë e saj po e dëmtonte kanceri. Megjithatë, ajo çfarë e pengonte më së shumti ishin fjalët e të tjerëve, dhe mënyra se si silleshin me të kur kuptonin që ajo po ballafaqohej me një sëmundje të rëndë.

Me përfundimin e intervenimit të dytë, Arnisa filloi trajtimin me kimioterapi. Kjo po ia ndryshonte shumë pamjen, mirëpo shpresa se mund të shërohej ishte shumë më e madhe se dhimbjet.