Europa gjendet përballë sfidës më të madhe në historinë e saj, tha kancelarja gjermane Angela Merkel, ndërsa i kërkoi BE-së të miratojë sa më shpejt fondin prej 750 miliardë eurosh për rimëkëmbjen e ekonomive më të dobëta të bllokut.
Në një fjalim para Bundestagut gjerman në prag të mbledhjes së Këshillit Europian ditën e premte dhe nisjes së presidencës gjermane të unionit më 1 korrik, Merkel theksoi se ishte tejet e rëndësishme që shtetet anëtare të solidarizohen për t’i mbijetuar dëmit ekonomik të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

“Të dhënat aktuale flasin për një tkurrje dramatike të ekonomise dhe prandaj duhet të veprojmë tani, me vendosmëri. Duhet të arrijmë sa më shpejt një marrëveshje për një financim shumëvjeçar dhe një fond rimëkëmbje. Pandemia dhe dobësimi i ekonomisë janë sfida më e madhe në historinë e Europës”, u shpreh Merkel.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen propozoi fondin e paprecedentë të 750 miliardë eurove për të ndihmuar BE të dalë prej recesionit më të thellë në histori, por plani u kundërshtua ashpër nga shtetet e pasura të bllokut si Austria dhe Holanda.

Paketa konsiston në 500 miliardë euro grande dhe 250 milionë të tjera kredi të buta, por për miratimin e saj nevojitet mbështeje unanime nga vendet anëtare.