Protesta para Jugohromit, por kësaj radhe jo për mbylljen e tij por për hapjen. Të punësuarit e këtij kombinati kërkojnë nga udhëheqësia që të mbaj premtimin dhe më 1 mars të hap sërish fabrikën. Protestuesit shprehen të bindur se, Jugohromi nuk është ndotësi i vetëm dhe më i madhi, ndërkohë që sugjerojnë insitiucionet përkatëse që ndotësin e vërtetë ta kërkojnë diku tjetër.

“Jugohromi nuk ndot aq sa përshkruhet edhe në këtë periudhë kohore prej një muaji Tetova edhe më tej thith ajër të ndotur. Iu apeloj atyre që ti mbajnë të dhënat e muajit Shkurt, le të matin ndotjen në muajin mars kur do fillojë me punë Jugohromi dhe le të bëjnë një krahasim atëherë se jam i bindur se ndotja do jetë shumë më e vogël në mars me oxhaqet e jugohromit se sa në Janar”, tha Bajram Hamiti, kryetar i sindikatës së punëtorëve.

“Eco Guerilla dhe ministri i ambientit, le të shkojnë ta kërkojnë tjetërkund ku duhet të kërkohet dhe jo këtu tek ne që na e marrin edhe bukën neve, sepse unë nga 59-ta ushqej familjen me këtë punë”, u shpreh një punëtorë.

“Ju apeloj krejt institucioneve që të marrin masa për ta hapur sepse ne do marrim masa më të rrepta shkaku se shumica e klasës punëtore rrinë pa punë. Ju apeloj krejt partive politike prej Tetove deri në Jazhincë mos guxojnë të vijnë të kërkojnë votën se keq do i kenë punët”, tha një tjetër punëtor.

Fabrika e Jugohromit ndërpreu prodhimin më 31 dhjetor, dhe nuk do të punojë deri në fund të këtij muaji. Vendimi u miratua nga drejtuesit e metalurgjikut më të madh vend. Drejtori i Përgjithshëm Vasko Skenderovski asokohe deklaroi se vendimi është miratuar vullnetarisht si shprehje e mirëkuptimit për gjendjen me ajrin e ndotur në Tetovë. Megjithatë, Jugohrom mbetet në qëndrimin se ky kombinat nuk është ndotësi më i madh në rajon./Alsat-M/B.S