Nga Bashkim Murtezi

Duhet të jesh vërtetë injorant ose i ligë për të thënë se dikush qenka me VMRO-në ose me Mickovskin kur vetë ka ministër të Drejtësisë, i cili i dha forcë e krah Jankullovskës për ta ngritur përsëri në skenë, duke e ndryshuar Kodin Penal, që me automatizëm e liron edhe Jankullovskën, edhe Mijallkovin dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tyre, përfshirë vetë Gruevskin bile, si kryekriminelin antishqiptar, duke ua bërë zero të gjitha paditë e tyre kriminale e korruptive.
E derisa ASH-ja e luan rolin e viktimës në rrejte sociale, ende bëjnë përpjekje për ta futur në rend dite ligjin për amnisti, kjo me arsyetimin banal se burgjet qenkan të mbingarkuara, andaj kriminelët që vuajnë dënim për korrupsion duhet liruar. Pyetja është se kujt i duhen ata kriminelë në liri?
Ndonëse ju mund të jeni aq servilë, për t’iu bashkangjitur karvanit të BDI-së me veprime të tilla shkatërruese për çdo parim të së drejtës dhe nënçmuese për çdo shqiptar që ka vuajtur nga krimi i këtyre që përpiqeni t’i riktheni e amnistoni, kjo në emër të Europës e kundër çdo vlere të saj dhe këtë e bëni sepse jeni aq të etshëm për pushtet sa nuk ju intereson aspak se kush po fiton nga kjo situatë e kush po humb, por populli shqiptar nuk është aq naiv për të mos e parë këtë manipulim tuajin.
Pyetja është se ku ishit ju si ASH për ta parandaluar ministrin tuaj të sillte propozime të tilla që mund të jenë gjithçka, por jo luftë kundër krimit dhe korrupsionit? Ku ishin deputetët tuaj për ta kundërshtuar këtë ndryshim? Pse ia dhatë shansin Jankullovskës dhe kriminelëve të tjerë që të lirohen nga krimet e tyre?
Është totalisht e pandershme, ironike, madje edhe hipokrizi, t’i akuzosh të tjerët kur e di që vet je fajtori. Kjo i ngjan shprehjes së popullit “të të them sa nuk ma ke thënë”. Por, tani që edhe flamuri i BE-së nuk po i justifikon veprimet tuaja dhe jeni mbështetur për muri nga gabimet, është refleks i natyrshëm të bësh përpjekje për sulm.
Megjithatë, më vjen keq ta pranoj që e keni humbur luftën me vetveten. Sepse nuk ka një opozitë dhe “shqiptarë të mjerë” që po bashkëpunojnë me Mickovksin, por ka një ASH që ka rënë pre e BDI-së në pazaret e saj të liga, duke i dëmtuar shqiptarët e duke i rikthyer antishqiptarët për të cilët ishim “indianë”.