Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se veprimi i sotëm i Listës Serbe për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës, paraqet tërheqje të Serbisë nga marrëveshjet e Brukselit, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

Osmani, këtë veprim e ka konsideruar të nxitur nga Serbia, dhe se kjo vërteton synimin e Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.

“Veprimi i sotëm i Serbisë, paraqet tërheqje të saj të njëanshme nga marrëveshjet e Brukselit për shuarjen e strukturave ilegale të saj në Kosovë. Ky veprim i nxitur nga Serbia, vërteton edhe njëherë atë që e kemi thënë shumë herë, se Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës dhe rajonit për shkak të synimeve të saj territoriale dhe hegjemoniste. Megjithatë, Serbia nuk do të arrijë ta ndryshojë karakterin multietnik të institucioneve dhe ta cenojë paqen e sigurinë në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Osmani përmes një komunikate për media.

Tutje, Presidentja Osmani ka thënë se kjo tërheqje e serbëve nga institucionet e Kosovës është akt kundër demokracisë.

Një qasje e tillë, sipas Osmanit, u shkakton probleme serioze qytetarëve serbë në veri.

“Tërheqja e ministrave, deputetëve dhe e pjesëtarëve të komunitetit serb nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Policia e Kosovës është akt kundër demokracisë, sundimit të rendit e ligjit. Një veprim i tillë është bërë me presionin e pushtetit në Beograd. Qasja e tillë po u shkakton probleme serioze qytetarëve serb në veri, të cilët po ndihen të rrezikuar nga veprimi i strukturave ilegale, të cilat synojnë destabilizimin”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se institucionet e Kosovës “do t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar mbarëvajtjen dhe sigurinë publike në çdo cep të territorit të saj në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, dhe u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që “të mos bien pre e propagandës nga Serbia për interesat e saj destablizuese ndaj Kosovës dhe rajonit”. /Reporteri.net/.