Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar se sot i është ndaluar hyrja në Kosovë, kryetarit të Partisë Popullore të Serbisë, Vuk Jeremiq, i cili, sipas njoftimit të partisë, ishte nisur për në Graçanicë ku po mbahet Kuvendi i Komitetit Krahinor të Partisë Popullore.

Përmes një postimi në Twitter, Gërvalla theksoi se mbështetja e Jeremiqit për “riintegrimin” e Republikës së Kosovës në Serbi është një recetë për luftë.

“Evropa dhe SHBA duhet të vëzhgojnë nga afër veprimet gjithnjë e më agresive të klasës politike në Serbi dhe në rajon. Radikalizimi i ish-presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Jeremiq është vetëm një tjetër paralajmërim se oreksi i Serbisë dhe Rusisë për përfitime territoriale nuk ka përfunduar”, ka shkruar Gërvalla.

Tutje, ajo tha se për sa kohë që ShBA-ja dhe Evropa nuk dërgojnë sinjale të qarta, Rusia dhe Serbia do të vazhdojnë të shkaktojnë tensione në Ballkan.

“Ato duhet nevoja për të shtyrë për zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për të rregulluar krizën dhe paqëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht nxitjen për njohjen e realitetit nga Serbia në Ballkan pas luftërave të saj shkatërruese”, shkroi Gërvalla.

Më tej, e para e MPJ-së tha se Kosova është dhe do të mbetet një vend i pavarur dhe sovran, pro BE-së dhe NATO-s.

“Kosova dhe fqinjët e tjerë jashtë BE-së të Serbisë nuk janë sfera e influencës së Serbisë dhe as nuk do të “riintegrohen” në “botën serbe” për të cilën po bëjnë presion Vuçiç dhe Putin”, ka shtuar Gërvalla./arbresh.info/