Pacientë të moshës 100 vjeçare kanë termin të caktuar në kontrollime mjekësore, tregon sistemi elektronik për caktim ‘Termini Im’. Sipas të dhënave të këtij sistemi, për momentin 18 pacientë të cilët kanë mbi 100 vjet,kanë udhëzim aktiv për kontrollim, njofton Koha.

“Pacienti më i vjetër që është regjistruar në sistemin “Termini Im” është një grua nga Shkupi e cila ka 106 vjet, dhe sipas sistemit ka qenë në kontrollime në periudhën qershor-shtator”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Pjesë e pacientëve të cilët tre muajt e fundit kanë pasur termin për kontroll ankohen se nuk kanë mundur të kontrollohen ose kanë pritur me orë të tëra për kontroll, sepse edhe pse kanë arritur në kohë në terminin e caktuar, nuk ka ardhur mjeku ose është vonuar shumë. Sipas të dhënave të kompetentëve, tre muajt e fundit 948 mjekë kanë paraqitur se nuk do të mund të shkojnë në ambulantë dhe të kontrollojnë pacientët. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se problem paraqesin edhe ata pacientë të cilët kanë termin të caktuar, por nuk paraqiten në mjek, dhe nuk e anulojnë terminin.

“Sipas të dhënave të “Termini Im” më së shumti kontrollime të lëshuara ka në spitalin e përgjithshëm “8 Shtatori”, në klinikën e Tetovës si dhe në Klinikën për Onkologji dhe radioterapi. 135 pacientë mbi 10 herë nuk kanë shkuar në terminin e caktuar”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.