20160319_122028

Të nderuar qytetarë të komunës së Tetovës,

Me sa duket, hipokrizia e autoriteteve komunale nuk ka të sosur. Çdo ditë shohim në rrjetet sociale fotografi të “punës” së palodhshme të Ndërmarrjes Publike Komunale, të Ujësjellësit dhe Kanalizimit, të Sektorit për Urbanizëm dhe Infrastrukturë, të Ndriçimit Publik, etj., por me sa duket kjo ndodh vetëm në Facebook dhe në një sipërfaqe simbolike në pjesën qendrore të qytetit, kurse pjesa tjetër e qytetit është lënë në Tetovës.

Së këndejmi, po shfrytëzojmë rastin t’ua përkujtojmë autoriteteve komunale që Tetova nuk është vetëm Bulevardi “Iliria”. Tetova shtrihet përtej kësaj zone dhe në rrjetet sociale duhet të shtoni fotografi edhe të këtyre pjesëve, sepse edhe aty jetojnë banorë që kanë nevoja sikurse edhe ata të “qendrës”.

Sa për fillim, po shënojmë që situata më kritike është me rrugën “Bllagoja Toska” dhe atë prej te shkolla e mesme Tekstile “Gjoce Stojçevski” e deri te rreth-rrotullimi në rrugën e “Ilindenit” (afër Memës), duke mos përjashtuar këtu në asnjë mënyrë pjesën e kësaj rruge që shpie deri te shkolla fillore “Kiril i Metodij” (meqë ra fjala, vini re edhe emrat e këtyre rrugëve dhe shkollave)!!! Në këtë rrugë nuk as kushte minimale për zhvillimin normal të komunikacionit automobilistik (të mos flasim për këmbësorët, sepse ata edhe ashtu nuk kanë asnjë të drejtë në komunikacion, dhe në veçanti për nxënësit që e frekuentojnë me të madhe këtë zonë). Situata është po aq e zymtë edhe në anën tjetër të kësaj shkolle, respektivisht në rrugën “Industriale” ku mu në afërsi të shkollës, trotuari për qarkullim të nxënësve është në gjendje të mjerueshme dhe shfrytëzohet për parkimin e automjeteve të ndryshme, në veçanti traktorëve dhe kamionëve që u shërbejnë firmave karshi rrugës. Po këtu, kalimi i rrugës “Industriale” nga nxënësit për në shkollë (dhe anasjelltas) është shndërruar në sprovë të sojit të vet, sepse shpejtësia e qarkullimit të veturave përgjatë kësaj rruge është marramendëse ndërsa semafori i vendosur aty fare nuk plotëson nevojat e njerëzve të kësaj ane, sepse e para, qëndron ndezur vetëm për disa sekonda, dhe e dyta, shumë shpesh nuk respektohet nga vozitësit e automjeteve.

Vazhdojmë më tej.

Pastrimi dhe mirëmbajtja e rrugëve kryesore të qytetit është në nivel të mjerueshëm. Përsëri vëmendja është përqendruar te Bulevardi “Iliria” (sikur vetëm këtë e ka Tetova) dhe pjesa tjetër e qytetit ka mbetur në mëshirë të Zotit. Vëreni mbetjet që lënë pas kamionët për gjoja mbledhjen e mbeturinave. Në fakt, më shumë e shtojnë pisllëkun se sa që e mbledhin atë. Vendet rreth e përqark kontejnerëve nuk pastrohen asnjëherë. Sikur na qenka punë dhe detyrim i qytetarëve jo i ndërmarrjes të cilën e paguajmë për shërbimet e (mos)ofruara.

Çështja e parkimit nuk është zgjidhur as me 10% të asaj që ishte para fillimit me punë të ndërmarrjes, tashmë të re, për parkim. Ndoshta është bërë akoma më keq. Arsyet janë si vijon: hapësira për këmbësorë te posta e qytetit tani shfrytëzohet për parkim (pa pagesë) karshi atyre që megjithatë vendosin të tregohen më të kujdesshëm dhe të parkohen në vendin e caktuar për këtë qëllim, duke kontribuuar edhe financiarisht (me 30 MKD për një orë parkimi) dhe janë pikërisht këta që mund të gjobohen po qe se harrojnë të dërgojnë në kohë sms-in për parkim apo kanë ndonjë punë urgjente në postë, në Telekom, apo te bankat, në anën tjetër. Të tjerët, që kanë hipur në trotuar janë të amnistuar. Paramendoni çfarë ABSURDI! Trotuari karshi Vero-s është uzurpuar nga vozitësit (pronarët) e automjeteve. Për këmbësorët… kush çan kokën! Trotuari në të dy anët e pjesës së poshtme të rrugës që shpie për te Qendra Sportive (nëse mund ta quajmë të tillë) po ashtu shërben për parkim të automjeteve. Meqë ra fjala, Qendra Sportive (dikur një prej lokacioneve të preferuara të qytetarëve të Tetovës) është shndërruar në vend për incizim filmash horror. Edhe ato pak sende që ishin aty, si luhatëset dhe ngjashëm, nuk janë më. I kanë marrë (vjedhur) për t’i shitur për skrap.

Dy rrugët që u gërryen për t’u rregulluar gjoja (ajo që shpie nga rreth-rrotullimi afër UEJL-së në Reçicë dhe tjetra te shkolla e muzikës), me muaj janë zhytur në baltë e pluhur dhe as që tentohet të përfundohen.

Për fund (të këtij episodi) do ta përmendim edhe qendrën e qytetit (sheshin vetë) e cila është shndërruar në hapësirë biznesi për qira-dhënësit e atyre automjeteve të vogla me telekomandë dhe qarkullimi përmes kësaj zone për ata që nuk janë të interesuar të marrin një automjet të tillë me qira, është bërë thjeshtë i pamundur nga rrëmuja që është shkaktuar aty. Është i vetmi vend në Tetovë ku nuk qarkullojnë veturat (reale), që do të nënkuptonte një copë toke të rehatshme për këmbësorë, por ama edhe ky është uzurpuar.

Tani, qytetarë të komunës së Tetovës, tregoni se prej nga gjithë ai progres dhe zhvillim, prej nga gjithë ato të arritura, prej nga gjithë ato investime, që përditë po na reklamohen përmes rrjeteve sociale, në veçanti atij të komunës së Tetovës dhe ndërmarrjeve që funksionojnë në kuadër të saj???

Dhe pas gjithë kësaj, ne do të shënojmë e festojmë verërat dhe dimrat e “kulturës tetovare”!

Hajt medet hajt!!!

Shihni fotot më poshtë për të konstatuar realitetin e hidhur të paraqitur përmes këtij teksti.

 

Reagimi vjen nga Asim Zaimi

Banor i lagjes Blagoja Toska, Tetovë

20160319_122017 20160319_151952 20160319_152502 20160319_152604 - Copy

sdr

image-0.02.01.e8fc790b565225713206f9eec014d3b3247daca77e1174450250c8b6c66e6a22-V image-0.02.01.99e6b8c9032abd99e9e5b9a04e1310e69f0d300a5c435ed876e5b6513a9b8f99-V 20160319_15272620160319_15302620160423_12321420160520_121128