Si një komunë qendrore ku gravitojnë mbi 200 mijë banorë, Tetova për dekada të tëra ende nuk ka kujdes institucional për të moshuarit. Gjithashtu, nuk ka zgjidhje për qytetarët e moshuar që kanë një problem banimi të pazgjidhur ose ata që kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm shëndetësor, shkruan gazeta KOHA. Në dy thirrjet e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale nuk ka arritur asnjë projekt për ndërtimin e një shtëpie për më të moshuarit në Tetovë. Shoqata e pensionistëve nga Tetova për vite të tëra ka kërkuar një shtëpi moderne për të moshuarit, e cila do të plotësojë nevojat e kësaj kategorie të qytetarëve.

“Ato komuna që kanë projekte të gatshme duhej që ato projekte t’i dorëzojë në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe për të njëjtat projekte së bashku do të gjejmë mjete financiare, një pjesë me mjete financiare ndërkombëtare për shkak se miqtë e Maqedonisë qëndrojnë pranë nesh dhe gjithashtu mjete buxhetore për shtëpi të pleqve në Komunën e Tetovës. Unë deri më tani nuk kam pranuar ndonjë projekt”, ka deklaruar gjatë vizitës në Tetovës, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.

Përndryshe, kjo kategori e qytetarëve të moshuar janë lënë në mëshirën e më të afërmve dhe të miqve të tyre, veçanërisht ata që nuk kanë zgjidhur çështjen e strehimit ose nuk kanë të ardhura të përhershme mujore. Disa mbeten vetëm nëse nuk kanë familjar ose farefis të afërt që do të përkujdeset për ato. Në gjendje më të rëndë dhe të palakmueshme janë të moshuarit që nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe që kanë nevojë për kujdes dhe ndihmë të vazhdueshme mjekësore.

Këta njerëz shpesh dërgohen në shtëpi apo qendra në qytete të tjera të vendit. Objekti në të cilin aktualisht gjendet Shoqata e Pensionistëve të Tetovës përdoret ekskluzivisht për strehimin e të moshuarve, por është i kufizuar në kapacitete dhe në kushte. Shtëpia e re për të moshuarit, përveç shtëpisë, duhet gjithashtu të sigurojë kujdesin shëndetësor ose kujdesin shëndetësor për përfituesit.

Kësisoj, përderisa Shkupi, Manastiri, Shtipi dhe qytete të tjera kanë shtëpi të pleqve, megjithatë pleqtë e Tetovës nuk e kanë një vend të tillë. Ata kohën më të madhe të pleqërisë e kalojnë në karriget e parqeve të qytetit dhe në zyrat e pensionistëve, ku nuk ka hapësira të mjaftueshme.

Nga kjo shoqatë kanë thënë se kërkesa është dërguar në Komunën e Tetovës dhe në Qendrën për zhvillim të rajonit planor, por deri më tash nuk ka ndonjë hap konkret. Shoqata e Pensionistëve të Tetovës nga ana e saj kërkon nga shteti ndërtimin e një shtëpie për personat e moshuar, e cila sipas tyre, është e domosdoshme për këtë kategori të qytetarëve sepse vend tjetër nuk kanë. Nga Komuna e Tetovës theksuan kohë më parë se shtëpitë e pleqve në komunat tjera u janë dhënë në menaxhim komunave, kurse në Tetovë nuk është bërë një transfer i këtillë.

“Shtëpitë e pleqve si pronë publike me procesin e decentralizimit janë bartur në pronësi dhe menaxhim të pushtetit lokal, në disa komuna si Manastiri, Shkupi. Këto institucione për perkujdesjen e të moshuarve i kanë trashëguar nga pushteti qendror, gjë që nuk është rast edhe me Komunën e Tetovës. Në planet afatshkurta të Komunës së Tetovës është rregullimi dhe mirëmbajtja e klubeve të pensionistëve, kurse ndërtimi dhe mirëmbajtja e shtëpisë së pleqve është projekt kapital, i cili kërkon resurse më të mëdha financiare”, ishin shprehur kohë më parë nga Komuna e Tetovës. (koha.mk)