Së shpejti pritet të përfundoj projekti i ujësjellësit të Tetovës, me çka banorët e Tetovës njëherë e përgjithmonë do të furnizohen me ujë të pijshëm. Premtimet vijnë nga Ministria për Transport dhe Lidhje dhe nga Komuna e Tetovës. Projekti do të financohet përmes kredisë nga Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë prej 2 milion euro, ndërsa me 800 000 euro do investojë komuna e Tetovës.

“Shpresojmë që kompania do jap maksimumin që sa më shpejtë të kryhet si aktivitet, ndërkaq ne si komunë kemi kryer të gjitha obligimet tona pronësoro juridike. Mendoj se me përfundimin e edhe këtij stacioni, definitivisht çështja e ujit të Tetovës do të jetë e kaluar”, deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi.

“Shpresojmë që në afat sa më të shkurtër të përfundojnë punimet dhe i gjithë rrjeti i ujit të pijes të vihet në funksionim dhe ti jepet fund një sage të zgjatur në komunën e Tetovës. Ky projekt vjen nga banka Evropiane për Investime që ka marrëveshje me qeverinë e Maqedonisë për investim në disa projekte të ngjashme”, tha Faton Pollozhani, Zv. ministër i transport lidhjeve.

Por, edhe përkundër premtimeve të shumta, qytetarët shprehen skeptik se diçka do përfundojë sipas premtimeve.

“Ndoshta do ketë, nuk dimë edhe ne çka të themi më”.

“Nuk mendoj se do ketë zgjidhje se neve kërkojmë ujë që para njëzet vjetësh”.

“Disa herë i janë dhënë para komunës nga shteti dhe parat nuk dihet ku janë, nuk diskutohet nëse ka apo jo ujë, Sharri i tëri në ujë është”.

Ndryshe dyqind litra ujë shtesë në sekondë do të sigurohen me sistemin e ri të ujësjellësit në Tetovë që sipas premtimeve të pushtetit qendror dhe atij lokal duhet të përfundoj gjatë këtij viti./Alsat-m