Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, z.Menduh Thaçi sot në selinë e partisë realizoi takim me përfaqësuesin special të Gjermanisë për Maqedoni, Johanes Hajndëll.

Në takim është biseduar për krizën politike në vend dhe pikëpamjet e PDSH-së për tejkalimin e kësaj situate, si dhe për tema të tjera në interes të përbashkët.

Në takim, Kryetari Thaçi theksoi se shkaktarët e krizës VMRO-BDI vazhdojnë me veprimet e tyre të njëanshme dhe të papërgjegjshme për çështjet të cilat ishin pjesë e bisedimeve dhe për të cilat duheshe të arrihet konsensus në mes të katër partive më të mëdha politike në vend, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të SHBA dhe BE.

Kryetari Thaçi gjithashtu theksoi se për PDSH-në dhe shqiptarët kjo sjellje është e papranueshme, thellon krizën politike dhe ngulfat perspektivën euroatlantike të vendit. Thaçi më tej vlerësoi se rrugëdalja e vetme nga kjo situatë është vazhdimi i dialogut të mirëfillte dhe implementimi i zgjidhjeve që dalin nga ky proces me ndërmjetësim dhe garanca të faktorit ndërkombëtarë, me theks të veçantë për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe të marrëdhënieve ndëretnike.

Kryetari Thaçi e siguroi Ambasadorin Hajndëll se Partia Demokratike Shqiptare do të vazhdojë të jetë pjesë e proceseve demokratike dhe perspektivës euro-atlantike të vendit dhe se do veprojë fuqishëm për ta ndryshuar këtë situatë të rëndë në Maqedoni.