Bulevardi ne tetove

Autoritetet e Komunës së Tetovës kanë takuar banorët e lagjes “Bllagoja Toska” në Tetovë, për të gjetur zgjidhje dhe mënyrën e kompensimit të pronave për të hapur përfundimisht rrugën në këtë bulevard, proces ky që i duhen vite të tëra për tu përfunduar. Ky projekt i cili ishte premtim parazgjedhor i kryetares Teuta Arifi, ishte lënë në harresë 3 vitet e kaluara të qeverisjes së saj, ndërsa lëvizjet e para në këtë drejtim janë bërë ditëve të fundit, me gjasë që do të ngelin vetëm tentativë e pasuksesshme.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Hisen Xhemaili, ka konfirmuar se zhvillohen takime dhe pritet që në seancën e Këshillit javën e ardhshme do të ketë vendim për legalizim të disa objekteve që ndodhen në këtë lagje. Ky qëndrim i tij është kontradiktor, përshkak se pas legalizimit të tyre, ky projekt do të merr fund përgjithmonë, sepse komuna nuk ka mjete të mjaftueshme financiare për të kompensuar vlerën e tyre.

Ekspertët e komunikacionit hapjen e këtij bulevardi e kanë cilësuar si mjaft e rëndësishme, sepse do të ulte numrin e automjeteve që kalojnë në pjesën qendrore dhe do të shkarkonte komunikacionin nga pjesa qendrore e qytetit, e cila gjendet në një kaos të vërtetë. Banorët e lagjes “Bllagoja Toska”, të cilëve duhet t’ju merret prona për hapjen e bulevardit, kohë më parë janë shprehur se nuk janë në dijeni se pse realizimi i këtij projekti është vonuar dhe nuk është realizuar deri më tani.

Në ndërkohë, në Komunën e Tetovës arsyetohen se vonesat kanë ndodhur për shkak se rreth 19 shtëpi që është dashur të përfshihen në procesin e eksproprijimit, nuk kanë qenë të legalizuara. Bulevardi që duhet të hapet është në fund të Spitalit Klinik të Tetovës dhe duhet të kalojë përmes lagjes Bllagoja Toska, duke vijuar pranë Shkollës së mesme tekstile e që do të lidhet me bulevardin tjetër Ilinden.