Shkruan Medai Shaholli

Si asnjëherë më parë në karrierën politike të një lideri shqiptar të Iliridës gjatë pluralizmit politik, nuk ka rastisur të kalojë pa u prekur e shigjetuar, pa u rrëzuar dhe goditur sesa kapedan Ali Ahmeti, nga kundërshtarët e tij politik.
Kjo “thembër e Akilit” tonë vazhdon t’i bëjë ballë të gjithë kundërshtarëve anemikë nga mbarë vendi, duke korrur fitore të njëpasnjëshme në këto 17 vjet të katapultimit të kapedan Aliut në pushtet.

“Akili ynë” dhe thembra e tij”, nuk u prek as u godit për afro dy dekada nga askush, përkundrazi, në çdo cikël zgjedhor ai ia del mbanë duke i deklasuar bindshëm kundërshtarët politik.
Dhe sigurisht, nuk kishte se si të mos ngadhnjente në çdo betejë elektorale “Akili ynë legjendar” i cili ka patur në vazhdimësi mbështetjen e pushtetit qendror dhe ndihmën e militantëvetë verbër integristë, të cilët si besnikë të përjetshëm janë rreshtuar verbërisht pas kapedanit të tyre të pamposhtur.

Një tjetër mbështetje e pazëvendësueshme që i vjen “komandantit” tonë pa grada në çdo cikël zgjedhor është përkrahja nga aleatët e fshehur të bllokut sllav siç janë VMRO-SDSM, pa të cilët “thembra e Akilit tonë” do kishte marrë fund që në mandatin e dytë.
Kjo mbështetje e jashtëzakonshme u pa në zgjedhjet e fundit lokale për kryetarë komune në mbarë Iliridën, ku gati gjithë kandidatët integist i mposhtin kandidatët tjetër shqiptarë të opozitës, falë mbështetjes dhe votës së SDSM-së dhe VMRO-së, pro kandidatit integrist.

Kësisoj ndodh dhe në zgjedhjet e përgjithshme, ku kandidatët e DUI-t mbështeten nga blloku sllav në zonat ku kandidati i tyre nuk ka gjasa të fitojë.

Kështu, për 17 vjet me radhë delet shqiptare dhe sivëllezërit sllavë të “Akilit tonë”, votojnë masivisht për integristët dhe kapedanin, këtë vegël qorre dhe shërbetor të devotshëm të tyre.
Pushtet ky i cili ka dëshmuar që edhe pas një gjysmë shekulli nuk ka hequr dorë nga supremacia e sundimtarit dhe pushtetit absolut.

Betejat e humbura të shqiptarëve në në këto 17 vite të përballjes me ”Akilin” tonë i cili u ”qëndron stoik” me kordhë në dorë, janë përplitjet e kota të pseudo-opozitës shqiptare dhe shumë pseudopatriotëve shqiptarë që u shtirën se janë me popullin dhe për popullin.

Pasqyra reale e dështimit të kësaj pseudo-opozite dhe të shumë sharlatanëve të pavarur shqiptarë, janë gjendja e statusit të pabarabartë politik të shqiptarëve brenda “dërzhavës” NMK, ku vazhdojmë të mbajmë mbi krye emërtimin denigrues si popull nomad pa emër por i shifrës 20%, i cili është ”peshqesh” edhe i opozitës shqiptare që miratoi ato ndryshime në kushtetutë jashtë vullnetit politik të popullit shqiptar.

Ndërgjegjësimi i mundshëm dhe organizimi më i mirë i studentëve shqiptarë në fillim të këtij viti akademik, do të ishin prologu i një shprese dhe thagma e madhe e rimëkëmbjes sonë, ku kjo forcë rinore dhe studnteske një ditë do t’i jap dërmën e fundit klanit të qelbësirave dhe këtij pusht-shteti.