Bashkimi Demokratik për Integrim sonte në Çair ka hapur shtabin zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në këtë aktivitet është parë një numër i madh militantëve partiak dhe funksionarëve të lartë të BDI-së.

Agjencia e lajmeve INA, duke u thirrur në burime brenda subjektit shqiptar në pushtet mëson se, aktivizimi i partisë së Ahmetit është bërë si alibi për të fshehur krimin zgjedhor gjatë zgjedhjeve të kaluara.

“Titaniku ka frikësuar përfaqësues të BDI-së në këtë komunë. Ka ditë që janë duke u ftuar të punësuarit dhe administratë për të marrë pjesë në këtë tubim. Qëllimi ka qenë tubimi të jetë masiv, që të mbulohet krimi dhe vjedhja e votave që ka ndodhur pothuasje gjatë gjithë proceseve zgjedhore”, thotë një përfaqësues i BDI-së në Shkup.

Ndryshe, Ismet Guri – funksionari i BDI-së në Drejtorinë e të Ardhurave Publike do të merret në pyetje nga Prokuroria Speciale, për parregullsitë zgjedhore dhe manipulimet në zgjedhjet e kaluara, shkruan javorja Fokus, duke përmendur emrin e tij dhe detajet e tjera.

Sipas kësaj javore do të jenë edhe emra të tjerë të personave që do të merren në pyetje nga Prokuroria Speciale, për parregullsitë zgjedhore,që kanë të bëjnë kryesisht me zgjedhjet lokale të vitit 2013 në komunën e Çairit. Denoncimi për këtë ishte bërë nga PDSH,  që më pas KSHZ të verifikoj rastin dhe të zbulojë manipulimet, por që Gjykata Administrative nuk kishte shqiptuar asnjë masë penale. (INA)