Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka reaguar me tone të ashpra kundër Lulzim Bashës pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
“Lulzim Basha i dha vetes të gjitha pushtetet duke vrarë edhe me letra demokracinë e brendshme dhe për të mbuluar këtë turp, Luli bën kujdes të shpërndajë në media se po kthehet Jozefina në Këshillin Kombëtar, sepse Luli paska pranuar që anëtare të KK të jenë ish-Kryeministri, ish-Presidenti dhe ish-kryetari i Parlamentit”, thotë ajo.
Thelbi i mbledhjes dhe i draftit “Basha”, thotë Topalli, ishte mbrojtja e karriges së Lulit, shkruan Top Channel.
“Ai mund të humbë të gjitha zgjedhjet edhe më zi se një vit më parë, por Luli aty do të jetë me statutin e ri. Shqiptarët do të vazhdojnë të ikin të pashpresë nga ky vend, por Luli me letra karrigen prap do e ketë. Shqipëria do të vazhdojë të zhytet e të vuaje nga krimi, korrupsioni e varfëria, por tani që po bën letrat e tij , askush nuk do shqetësojë më “Kryetarin e përjetshëm”, thotë Topalli.
Ish-kryetarja e Kuvendit refuzon “karrigen” që i ofrohet.
“E kisha karrigen dhe e bëra të qartë publikisht se me LB kam diferenca të mëdha. Unë nuk kam nevojë për asnjë karrige! Asnjë në këtë botë, as më heq as më vendos në PD, sepse në PD-në e endrrave të viteve ‘90 unë kisha hyrë që para se të lindja, por këtë Luli nuk e kupton”, thotë ajo.