Qytetarët të mos bëjnë panik, dyqanet kanë rezerva të mjaftueshme të produkteve ushqimore të nevojshme, thonë autoritetet. Nuk ka nevojë të blejnë sasi të mëdha të produkteve, por të blejnë si në ditët e zakonshme. Për reagimet e qytetarëve nëpër rrjetet sociale për rritjen e çmimeve të mjeteve të dezinfektimit, maskave dhe dorezave, ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, tha se masa e Qeverisë për ngrirjen e çmimeve vlen edhe për ta dhe nëse nuk respektohet, do të ketë edhe sanksione në bazë të Ligjit për konsumatorë.

Nuk ka vend për panik, të gjitha marketet dhe distributorët kanë rezerva të mjaftueshme, sidomos të produkteve bazë. Neve na mbetet të jemi të vetëdijshëm dhe të kujdesemi më shumë për shëndetin”-tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Qytetarët thonë se çmimet nëpër supermarkete janë të njëjta, një pjesë të prodhimeve mungojnë, por pohojnë se një pjesë e barnatoreve e shfrytëzojnë rastin për të bërë përfitime shtesë.

“maskat që i kam blerë para 15 ditëve, 50 copa për 200 denarë, ndërsa tani një maskë ishte 61 denarë”.

“Kërkova maska, por nuk ka. Ja, nuk kam maskë as unë”.

Autoritetet dhe tregtarët e shqyrtojnë mundësinë për kufizimin e numrit të qytetarëve që në një periudhë të caktuar kohore do mund të jenë në një supermarket. Por ata kërkuan të mbisundojë edhe vetëdija te qytetarët dhe të mos krijojnë tollovi marketeve.

Të gjithë 130 inspektorët, madje edhe udhëheqësit e sektorëve janë në terren dhe veprojnë ndaj rasteve. Besoni se ka keqpërdorime. Nëse është kafe për me vete, disa marrin kafe dhe ulen dhe atje normalisht se ne veprojmë dhe prandaj ne kemi mbyllur 10 objekte hotelerie”-tha Stojko Paunovski, drejtor i Inspektoratit të Tregut.

Tregtarët pohojnë, se çmimet e prodhimeve bazë nuk janë shtrenjtuar.

Jemi në kontakt të përditshëm me furnizuesit dhe bëjmë përpjekje maksimale produktet që janë deficitare dhe që janë të nevojshme për furnizim të qytetarëve të gjenden në raftet tona”-tha Petar Denkjovski, drejtor i përgjithshëm i Vero.

Një ditë më parë Qeveria mori vendim për ngrirjen e çmimeve për produktet bazë, siç janë buka, kripa, vaji, qumështi dhe prodhimet e qumështit. Gjithashtu edhe për vezët, miellin, mishin, brumërat, mjeteve për dezinfektim dhe ilaçeve.