Donald Trump dhe Vladimir Putin takohen për të parën herë ballë për ballë në kuadër të samitit të G20, në qytetin gjerman të Hamburgut.

Që të dy e kanë deklaruar se dëshirojnë riparimin e marrëdhënieve dypalëshe, të dëmtuara nga Siria dhe kriza e Ukrainës, por edhe nga ndërhyrja e pretenduar ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane. Liderët botërorë në takim përballen dhe ata me ndasitë e veta të mëdha mbi ndryshimet klimaterike dhe tregtinë.

Mediat ruse shkruanin se përballja Trump-Putin do të zgjasë një orë, por raporte të mëvonshme lanë të kuptohej se ajo mund të shkojë diku tek 30 minutat. Presidentët pritet të fokusohen më së shumti tek çështjet e Sirisë dhe Ukrainës. Trump në fillim ishte tepër popullor në Rusi, por që prej marrjes së postit opinioni për të ka ndryshuar. Të enjten, shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk ngurroi ta fshikullonte Moskën gjatë fjalimit të mbajtur në Varshavë, ku i bëri thirrje t’i japë fund destabilizimit të Ukrainës dhe vendeve të tjera, të mos mbështesë me regjime armiqësore si Irani e Siria e t`i bashkohet komunitetit të kombeve të përgjegjshme.

Kremlinit nuk i pëlqyen komentet e tij. Moska vazhdon të mos e pranojë që ka dërguar trupa në lindje të Ukrainës, ku, sipas saj, ka vetëm grupe vullnetarësh rusë që luftojnë me rebelët. Rusia është munduar të gjejë një terren të përbashkët me Trump, por qortimet e tij në Varshavë tregojnë se Presidenti amerikan e ka kuptuar rrezikun e të qënit shumë afër Putinit e po lëshon ca goditje.

Pritet për tu parë nëse gjatë bisedimeve mes tyre do të preket edhe çështja e shumëdiskutuar e ndërhyrjeve ruse në presidencialet e vitit 2016.