Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras dërgon porosi nën titullin “Nëse ekziston mundësia, do të jetë marrëzi kombëtare të mos e përdorim”, në intervistën e fundjavës të gazetës “Ethnos’, duke thënë se Athina kërkon emër të vetëm edhe për përdorim të brendshëm, përdorim dypalësh dhe në Kombet e Bashkuara.

Tsipras flet gjerësisht për çështjen e emrit, thotë se pas ndryshimeve politike në Shkup ai sheh një qeveri që deklaron se është e vendosur për zgjidhje të çështjes së emrit, por kjo mbetet të shihet në vepër.

“Zgjidhja nënkupton emër të përbërë të pranueshëm për të dyja palët, emër për përdorim të përdorim të përgjithshëm. Përdorim i përgjithshëm nënkupton se nuk mund të ketë emër të veçantë për marrëdhëniet dypalëshe mes shteteve dhe për OKB, ndërsa emri kushtetues i shtetit të jetë tjetër. Sa i përket anëtarësimit në NATO dhe BE, çështja është e qartë. Anëtarësim në NATO ose fillim të negociatave për në BE mund të ketë vetëm nëse zgjidhet kontesti i emrit”, tha Tsipras.