“Uniteti” formoi degën partiake në komunën e Bërvenicës. Sipas Statutit të partisë, u zgjodhën organet e degës dhe Kryetari i saj. Për Kryetar të degës u zgjodh pedagogu dhe arsimtari Xhelil Azizi, ish luftëtar i UÇK-së dhe ish këshilltar komunal nga radhët e BDI-së.

Në kryesinë e degës së “Unitetit” në Bërvenicë u përfshinë kryesisht ish luftëtarë dhe veprimtarë të denjë të çështjes kombëtare, që pas zhgënjimit nga devalvimi i vlerave kombëtare vendosën të kalojnë në partinë më të re të Gjeneral Gëzim Ostrenit.

Këshilltari komunal Namik Mustafi nga radhët e BDI-së gjithashtu nga mbrëmë është në kryesinë e “Unitetit” në Bërvenicë.

Dega e re u zotua se do të angazhohet maksimalisht për rikthimin e dinjitetit të shqiptarëve, barazinë e plotë qytetare dhe realizimin e vlerave për çka u viktimizua më e shtrenjta, jeta. Në periudhën vijuese do të vazhdohet me shtrirjen e nëndegëve dhe forumeve partiake, sipas Planit të punës të Kryesisë së partisë.