Ushtarakët shqiptarë në stërvitjen e NATO-s

Më shumë se 150 forca ushtarake shqiptare të batalionit të dytë të këmbësorisë, të quajtur ndryshe dhe “Zemërluanët”, po marrin pjesë në stërvitjen “Brilliant Jump 2016”, në Poloni.

Trupat shqiptare në këtë stërvitje marrin pjesë së bashku me ato angleze, spanjolle dhe polake. Stërvitja zhvillohet për të provuar Planin e Veprimit të Gatishmërisë së NATO-s dhe për të provuar të gjitha elementet ushtarake që ajo ka si pjesë.

Stërvitja konsiston në aftësinë për t’u vënë në lëvizje në një kohë shumë të shkurtër, nëse kërcënohet sovraniteti i një shteti anëtar të NATO-s. Kapiteni i forcave shqiptare, Ervin Çaushaj u shpreh përpara stërvitjes se, “këmbësoria shqiptare është e lehtë, shumë fleksibël dhe e aftë për të vepruar në çdo terren dhe në çfarëdo kushtesh. Jemi plotësisht operacionalë dhe të aftë”, deklaron ai.