20160914_144238Vazhdon zhvlerësimi i universiteteve shqiptare në vend. Mungesa e cilësisë së arsimit të lartë, ligjërimi nga mësimdhënës pa standarde të larta profesionale, por që si kriter kanë përkatësinë partiake, titujt e kontestueshëm akademik, disperzimi i fakulteteve pa kriter, heqja dhe mbyllja e fakulteteve apo programeve studimore pa vlerësuar tregun e punës, hapja e universiteteve të reja, siç është Nënë Tereza, fati i të cilit akoma nuk dihet, tregon se nuk trajtohet me respekt hapësira akademike shqiptare. Kështu vlerësojnë një pjesë e ekspertëve të fushës akademike. Një ndër themeluesit e UT-së Milaim Fejziu, mendon se fakti që ky universitet është themeluar më vonë se universitetet tjera shtetërore, nuk duhet të jetë justifikim për mungesën e cilësisë. Realizimi i reformave sipas nevojave të kohës, për profesorin janë “par excellence” për arritjen e majave të një universiteti.
“Megjithatë, Universiteti i Tetovës pati një rënie thënë kushtimisht pasi që ndodhi ndërrimi i brezave të profesorëve. Profesorët më të vjetër u larguan sepse kaluan në një fazë ku duhej të bëhej ndryshimi dhe u zëvendësuan me brezat e rinj, por brezave të rinj u duhet kohë për të arritur majat e cilësisë në një universitet… Tani reformat në uniersitet duhet bërë vazhdimisht sepse universitetet janë institucione të cilat duhet të ecin me kohën. Kështu që cdo universitet që nuk arrin të ecë me kohën, ai atëherë stagnon”, u shpreh Milaim Fejziu, themelues i UT-së.
Sipas vlerësimit që është bërë nga ana e Ministrisë së Arsimit gjatë vitit akademik 2013-2014, Universiteti i Tetovës rangohet i nënti me radhë. Ja si paraqitet ranglista e universiteteve në Maqedoni:
Ranglista e universiteteve të vendit
1. Universiteti Shën Kirili e Metodi, Shkup -100 pikë
2. Universiteti Goce Delçev, Shtip – 85 pikë
3. Universiteti i Europës Jug-Lindore, Tetovë – 84.3 pikë
4. Universiteti i Shkencave Informatike dhe Teknologji “Shën Apostull Pavle”, Ohër – 83.9 pikë
5. Universiteti Shën Kliment Ohridski, Manastir – 83 pikë
6. Universiteti American College, Shkup – 80.7 pikë
7. Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, Shkup – 75.5 pikë
8. Universiteti FON, Shkup – 58.9 pikë
9. Universiteti Shtetëror i Tetovës – 56.4 pikë
10. Universiteti Europian, Shkup – 47.6 pikë
Këto vlerësime janë bërë në bazë të 21 indikatorëve nga pikëpamja e performancës akademike dhe konkurencës, ku bëjnë pjesë mësimdhënia, hulumtimi shkencor dhe dimensioni social. Duke krahasuar vlerësimet e Ministrisë së Arsimit me ato të Listës së Shangait, dalin rezultate identike të vlerësimit. Ndërkaq nga UT-ja vlerësimet e Universitetit Jiao Tong të Kinës apo ndryshe siç njihet Lista e Shangait, në vazhdimësi i kanë konsideruar si vlerësime të dyshimta dhe jo-relevante./alsat-m