Agon Ferati

Nënkryetari i LR-PDSH-së, Agon Ferati ka reaguar ndaj katër partive politike për fshirjen e votuesve të diasporës shqiptare. Më poshtë mund të lexoni qëndrimin e tij në mënyrë integrale të bërë në Facebook:

Në Maqedoni ka 330.558 votues fiktiv (votues të rrejshëm, që nuk ekzistojnë). Këtë numër e kanë konstatuar ekspertët ndërkombëtar bazuar në Kontrollin dhe gërshetimin e informacioneve të 13 institucioneve qendrore dhe lokale. Raporti i këtij Grupi të ekspertëve të IT-së, që ishin autorizuar nga KSHZ, e që më vonë e miratoi unanimisht po i njëjti organ nxori këto shifra.

Këto 330.558 votues, janë emra të rrejshëm (një pjesë e tyre janë persona që kanë ndërruar jetë që në vitet 1975-1980, e që janë bërë votues të rregullt të pushtetit pas vitit 2009). Këto emra nuk kanë asnjë histori të regjistruar në asnjë nga 13 institucionet relevante që u kontrolluan. Kjo është dëshmi e palëkundur që ata nuk ekzistojnë në jetën reale, ndërsa janë shfrytëzuar për të mbivotuar dhe për t’ua ulur forcën politike etniteteve që llogariten pakicë në Maqedoni, veçanërisht shqiptarëve. Shpekulimet me shifra tjera, janë poashtu sajesa dhe mashtrime qëllim këqija. 172.000 votuesit që thonë se do të shënohen me yll, janë me punë të përkohëshme apo shtetësi të dyfishtë, këtu s’duhet të ketë asgjë kontestuese, ata janë taksapagues të rregullt dhe kanë pronë në Maqedoni, s’guxojnë asesi të fshihen, por as të shënohen në listë të veçantë. Ndërsa këto 40.000 të kontestuarit nga partitë maqedonase, sipas informacioneve 65% e tyre janë struganë dhe kërçovarë, poashtu me punë të përkohëshme, taksapagues të rregullt, me nënshtetësi dhe me të drejt Kushtetuese për të votuar. Qëllimi i fshierjes së tyre do të jetë mbivotimi etnik dhe marrja e këtyre dy komunave në zgjedhjet e ardhëshme lokale, e që aktualisht udhëhiqen nga Ziadin Sela dhe Fatmir Dehari.