“Vëllazëria Sllave” dhe akuzat për spiunazh

Në rrethinat e Beogradit forcat ushtarake serbe, ato ruse dhe bjelloruse nisin të enjten një stërvitje të përbashkët 6-ditore të pagëzuar me emrin “Vëllazëria Sllave”.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë deklaroi se në stërvitjen e përbashkët do të marrin pjesë rreth 700 trupa, përfshirë forcat speciale të ushtrisë serbe, ato bjelloruse dhe forcat speciale ajrore ruse. Stërvitja do të zgjasë për 6 ditë me radhë dhe synimi është përgatitja e trupave në luftën kundër terrorizmit.

Por stërvitja e dytë e “Vëllazërisë Sllave”, e para u mbajt tetorin e kaluar në qytetin rus Novorossiysk, është zbehur disi nga deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë, që dy javë më parë thanë se agjencitë e inteligjencës, perëndimore dhe lindore janë shumë aktive në Beograd.

Kryeministri Aleksandar Vuçiç deklaroi se Serbia ka përjashtuar dhjetra shtetas të huaj që dyshoheshin të lidhur me përpjekjen për të rrëzuar në ditën e zgjedhjeve kryeministrin malazez, Milo Gjukanoviç. Por ai këmbënguli se Beogradi nuk kishte gisht në këtë përpjekje dhe foli për një shtet tjetër, pa përmendur se kush.

Ndërkohë, në Mal të Zi janë të bindur që pas kësaj përpjekjeje përfshihej Rusia dhe bindja e tyre përforcohet nga raportimet në mediat në Beograd se autoritetet serbe kanë dëbuar nga vendi disa shtetas rusë për përfshirje në ngjarjet e ndodhura në Podgoricë.