Shkruan: Ejup Ajdini

Kaluan shumë dekada dhe sërish përsëriten “sëmundjet” e vjetra e të njohura të Ballkanit si: albanofobia, demokracia e rrejshme, hajdutëria e skajshme, demagogjia politike, zullumi mbi tjetrin, grabitja e tokave shqiptare, dëmtimi i kulturës kombëtare, shtypja e shqiptarëve sipas arshinit të çdo shteti ku ata jetojnë, mbyllja e lirisë së shtypit, veçmas mediumeve opozitare, dënohen njerëzit që flasin dhe shkruajnë ndryshe etj. E gjithë kjo vjen si rezultat i koalicioneve udhëheqëse joparimore dhe opozitave të dobëta dhe jo moderniste, pasi Ballkani shërbehet gjithmonë me politikat tradicionale të mbushura me shovinizëm të skajshëm. Këto politika kanë sjellë që vetëm shqiptarët të jetojnë në rrethana të jashtëzakonshme politike dhe ekonomike. Vetëm shqiptarët jetojnë të shpërndarë në gjashtë shtete të ndryshme të Ballkanit, që vazhdimisht po i dëmtohet indi kombëtar.

Këto faje nuk përbëhen vetëm nga të tjerët, por edhe nga vetë shqiptarët, pasi udhëheqësit e tyre shiten lehtë, për çdo gjë tregohen tolerant ndaj të tjerëve, bile edhe aty ku s’ka fare nevojë dhe pastaj, asaj gjithmonë ia kanë parë sherrin.Marrë në tërësi, nga të gjitha shtetet ku jetojnë shqiptarët, gjendja më e rëndë për momentin është në Kosovë dhe në Maqedoni, kurse për Çamërinë – Greqi, atje kemi gjenocid klasik, për të cilën drejtësia evropiane bëhet gjithmonë e shurdhur… Tani fjala është për këto dy shtete të vogla me demokraci tejet të brishtë; pa ekonomi të qëndrueshme, e veçanërisht drejtësia assesi ta gjejë rrugën e sajë. Kjo gjendje flet shumë keq, sa që çon drejt lëkundjes së themeleve shtetërore, apo përplasjes së madhe ballkanike, prandaj edhe Evropa nxiti themelimin e gjykatave speciale, e cila është për t’u përshëndetur, sepse, me ligjet dhe aprovimin e atyre vendorë ekzistues e tradicional e tejet të shëmtuar, nuk kishte zgjidhe. Edhe këto gjykata speciale, qoftë në Kosovë, qoftë në Maqedoni, kanë shumë vështirësi veprimi, pasi kjo demokraci e rrejshme 25 vjeçare bëri shthurjen e çdo vlere njerëzore, ligjore, ekonomike, morale dhe kulturore.

Edhe pse Evropa dhe njerëzit e dijes po bëjnë përpjekje dhe sakrifica të shumta që të mbjellin farën e shëndoshë të demokracisë, por, siç duket, është vështirë që politikat ballkanike të pajtohen me demokracinë reale, veçmas me politikën e realitetet natyrorë që e meriton Ballkani-Iliria. Kjo politikë qëmoti mbetet një projekt i “fshehur” për deshqiptarizimin e këtyre vendeve. Prandaj, lidershipit të Maqedonisë dhe të Kosovës, pse jo edhe çdo njërit nga ne, na duhet mençuri dhe përkushtim i madh, se përndryshe do na kthejë historia shumë mbrapa. Për këtë gjendje, veçmas për gjendjen e rëndë të Maqedonisë, para do ditëve, në Parlamentin Evropian e ceku edhe z. Riçard Hovit, njëherit edhe ndërmjetësues i negociatave në Përzhinë, i cili ndër të tjera tha: Maqedonia është në një krizë shumë të thellë sa që nuk është çështja e përkushtimit të Evropës, por çështja është përkushtimi për Demokracinë, që nënkupton se problemi kryesorë e vendit është zhbërja e demokracisë. Po e njëjta gjendje paraqitet edhe me demokracinë e brishtë të Kosovës, e cila dita më ditë po bëhet gazi i botës, pasi qartë duken apetitet djallëzore të udhëheqjes së sajë. Kosova shpesh satirizohet nga z. Putin dhe ajo që flet shumë është se Kosova nuk arriti të pranohet në UNESKO… Pra, të dyja vendeve e keqja u vjen nga udhëheqjet e errëta dhe pa vizion të qartë politik, tejet egocentrik dhe pa kulturë politike – civilizuese.

Udhëheqje të mjera, pasi, thjeshtë, përgjegjësitë i mendojnë si dëshirë absolute që ua beson populli, sikur, me marrjen e pushtetit, mendojnë se edhe shteti është i tyre dhe assesi nuk munden ta ndjejnë atë, se ata duhet të janë shërbëtorët e popullit, logjikë kjo që e kanë në ndërdijen e tyre të gjithë popujt e civilizuar. Realisht, tanimë, këto dy shtete janë bërë një kontekst i veçantë rajonal, saqë e kanë detyruar që faktori politik evropian dhe më gjerë t’i sheh më sipërfaqësisht dhe jo si dikur, kur angazhoheshin me të madhe që edhe shtetet e Ballkanit-Ilirisë të mund të bëhen anëtarë të familjes së madhe evropiane. Tanimë ky interesim është zbehur, pasi shohin se këto vende nuk duan të qeverisin në frymën reale të demokracisë, apo nuk dinë që të jenë pjesë e botës së zhvilluar e të emancipuar. Shikuar në këtë drejtim, ky favor i dikurshëm, kur bota u angazhua sinqerisht për Kosovën dhe Maqedoninë, tani më po zbehet dita ditës dhe, si për ironi të fatit, mundet që bota të hidhërohet me ne dhe të na len në duart e “sallamadisë” dhe ky fat për Ballkanin dihet se sa tragjik do të ishte, pasi nuk e përcjell e keqja këtë vend përherë të parë. Nuk e kemi të njëjtin favor dhe të njëjtin interesim të dikurshëm të faktorit ndërkombëtar edhe për atë se, pasi bota nuk ka kohë të merret gjithmonë me ne. Ata na ndihmuan të dalim nga kriza e luftërave dhe konflikteve të armatosura; na ofruan me dekada ndihma logjistike nga më të ndryshmet; tani mbetet përgjegjësia e jonë se si do të udhëheqim në Kosovë ose në Maqedoni. A do ta mbushim Kosovën me ,,Zajednica”, apo do të jemi hajdutët më të madhej të shtetit, apo, nga ana tjetër, do ta realizojmë marrëveshjen e Ohrit, apo të Përzhinës, pak rëndësi ka për faktorin ndërkombëtar. Se a ditëm, apo nuk ditëm të udhëheqim mirë, apo keq, sërish pak rëndësi ka për ndërkombëtarët.

Mjaftuan 25 vite ndihma e këshilla për të dalë nga “qorrsokaku ballkanik”, tani për ato është me rëndësi që të krijohet klimë të mirë bashkëpunimi rajonal midis shteteve; të vijë në shprehje paqja dhe stabiliteti, që ky rajon të ecë drejtë prosperitetit ekonomik e kulturor. Ata më nuk merren me shpirtrat e prishur të udhëheqësve ballkanikë, pasi në botë lindin probleme shumë më të rënda se sa këto të Ballkanit, prandaj, sa më parë Kosova dhe Maqedonia duhet t’ia venë gishtin kokës së tyre dhe të mendojnë mirë, se nesër bëhet vonë dhe nga çmenduria do të “marrin malin”.
Që moti rron e thëna se e drejta është në anën e më të fortit! Prandaj edhe sot e kësaj dite shantazhet bëhen mbi më të dobëtin, kurse më i forti me lehtësi shet mend e jep “fetfa”. E gjithë kjo na le përshtypjen të kuptojmë se udhëheqja e këtyre vendeve u instalua nga forcat e jashtme tejet të errëta për opinionin, përmes të cilave, forcat albanofobe të Ballkanit dhe më gjerë, ngritën klasat politike në këto vende, që shkëlqyeshëm bashkëpunojnë me çdokënd; gjithmonë në emër të demokracisë, të disiplinuar mirë, të qetë e të bindur për fitoren e zgjedhjeve, pasi janë të mbrojtur nga ata që ua ruajnë dosjet komplekse, për krime e hajdutëri të ndryshme dhe rrejshëm krijojnë imazhin e atdhedashurisë, që, në të kundërtën, i helmoi dëshira për pushtet, etja për para dhe përmes lavdisë kombëtare e më shumë individuale, promovojnë edhe forcë fizike edhe pushtet të fuqishëm dhe se gjoja janë të fortë e të palëkundshëm përgjithmonë. Ata, edhe pse kanë sy, por dritë s’u bëjnë, pasi populli vlon nga dëshpërimi e zhgënjimi, qoftë në Kosovë, qoftë në Maqedoni. Prandaj, nga frika e arrestimeve nga faktori ndërkombëtar, ata janë në gjendje, jo vetëm të formojnë ,,Zajednica”, por edhe ta shkatërrojnë edhe tërësinë e shtetit, vetëm e vetëm të mbulohen gjurmët e tyre kriminale dhe antikombëtare. Këta nuk janë të qartë si komunistët që dihej puna e tyre. Te këta është dyfishi i tradhtisë, prandaj edhe frika është e dyfishtë, pasi erdhën si atdhetarë në pushtet, e nga ana tjetër shkojnë deri atje sa ta copëtojnë shtetin e “tyre” në mini-shtete të huaja, t’u vriten shokët miqtë, vetëm e vetëm të ruajnë pushtetin e jo shtetin.

Marrë në shqyrtim të gjitha analizat, problemi i pazgjidhur i këtyre shteteve qëndron te misteri politik këtij lidershipi. Këta udhëheqës kanë sjellë një të keqe që s’ka zgjidhje, prandaj do të duhet patjetër edhe një ndërhyrje e fuqishme e demokracisë amerikane, për ti ndërprerë implikimet e huaja, të ndahet “ shapi nga sheqeri” dhe populli i këtyre vendeve të mos i përjetojë edhe njëherë traumat, të cilat ende aromën e vdekjes e kanë të freskët. I drejtohemi vetëm demokracisë amerikane, pasi këto shitblerje politike dhe loja me fatin e popullit dhe të shtetit, evropianëve nuk u bëjnë shumë përshtypje, pasi, sipas tyre, është i lejueshëm vullneti politik i një populli, por pa e kuptuar mirë se ky nuk është vullneti i lirë i popullit, por shpirti i shitur i lakmitarëve udhëheqës tejet të kriminalizuar dhe të adresuar nga albanofobia ballkanike. Evropianët nuk e kuptojnë se këtu nuk votohet, por vidhet ose blihet vota. Mu për këtë, duhet edhe një ndërhyrje e domosdoshme e demokracisë amerikane, që do ta kishte shpëtuar demokracinë në Ballkan dhe veçmas do ta kishte ndihmuar rrugën tejet të lodhshme të kauzës sonë të shenjtë kombëtare, e cila gjithmonë po dëmtohet nga abanofobia e jashtme dhe sot po rrezikohet edhe nga njerëzit e ,,zgjedhur” të popullit.

Tetovë, 11.03.2014

©Fol.mk

Shkrimi është shkruar enkas për Fol.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Fol.mk dhe autori, sipas marëveshjes ndërmjet tyre.