Vetëvendosje: BDI ka zhgënjyer shqiptarët, ka qenë tërësisht servile ndaj Gruevskit.

“E para, mendojmë që politikat e BDI-së kanë qenë kundër interesit shqiptar. Kjo është mëse e qartë. Jemi shumë të zhgënjyer me këto politika. Këto kanë qenë politika tërësisht serviliste ndaj pushtetit të Gruevskit, i cili ka qenë shumë i ashpër kundër shqiptarëve në Maqedoni. Dhe ka qenë një pushtet i cili tërësisht i është nënshtruar politikave kundër kombit tonë, kundër popullates atje. Dhe të drejtat e shqiptarëve, përgjatë viteve, kanë shkuar gjithmonë duke u cunguar atje (në Maqedoni). Për këtë arsye nuk e shohim fare me simpati pushtetin e BDI-së”, kështu ka deklaruar udhëheqësi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, Glauk Konjufca, transmeton fol.mk.

Ai ka thënë se për Lëvizjen Vetëvendosje! do të ishte ideale nëse do të krijohej një platformë e opozitarizmit shqiptar në Maqedoni që do t’i bashkonte të gjitha forcat politike, shoqatat, OJQ-të, dhe intelektualët, me përjashtim të BDI – së dhe PDSH-së.

Konjufca është shprehur i gëzuar për Protestën e partive opozitare në Shkup. Ai shprehet se Lëvizja për reforma e Ziadin Selës, Lëvizja Besa dhe Rilindja Demokratike Kombëtare duhet të bashkohen me OJQ-të në një platformë opozitare.

“Neve na gëzojë shumë kjo sepse ne gjithmonë e kemi shtyrë këtë ide përpara si Lëvizja Vetëvendosje! Dhe shumë mirë që u bashkuan të gjithë në një protestë masive dhe e suksesshme në mesazhin që e ofroi. Mori pjesë edhe Albin Kurti në këtë protestë dhe disa aktivistë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje! për ta dhënë mesazhin se kjo është rruga e duhur që edhe të ketë bashkim opozitar, por që të ketë bashkim jo vetëm tryezash, por bashkim në përpjekjen për t’i rezistuar politikave të pandashme të Gruevskit dhe Ali Ahmetit”, ka dekaruar, ndër të tjera, Glauk Konjufca.

©FOL