Frashër Krasniqi është deputeti tjetër që dha sot dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendose në protestë ndaj liderit të vjetër Albin Kurti.

Krasniqi, i dënuar me 5 vjet e gjysmë burgim për gjuajtjen e Kuvendit me zollë, në letrën e tij të dorëheqjes nga burgu, ka shkruar për ofendimet që ia kishte bërë Albin Kurti dhe indiferencën që ai kishte treguar kur aktivistët po burgoseshin për idealin e Lëvizjes.

Frashër Krasniqi thotë se nuk pendohet për asgjë që ka bërë deri më sot për Vetëvendosjen. Thotë se ndjehet krenar për çdo sakrificë që e ka bërë për subjektin që deri sot i takonte.

Krasniqi përmend një listë të gjatë të fajeve të Kurtit ndaj tij dhe refuzimi i Kurtit që t’i vizitojë aktivistët e burgosur është një nga ta.

Letër nga burgu

“Para 13 vitesh, kur isha 17 vjeçar, në verën e 2005, u futa për herë të parë në zyren e VETËVENDOSJE për të filluar kështu dekadën më të rëndësishme të jetës sime. Është e pabesueshme përmbushja shpirtërore që njeriu e arrin kur angazhohet për një koncept të drejtë e për të mirën e shoqërisë. Është e mahnitshme kurajo që e fiton kur je i rrethuar me njerëz që ndajnë idealet e njëjta me ty. Për ata që nuk besojnë në angazhimin politik e në ideale mund të duket e pabesueshme, por sot e 13 vite nuk jam pishman për asnjë moment të jetës që ia fala Lëvizjes. E këtë ndjenjë krenarie e përmbushje e kuptojnë më së miri aktivistët e VETËVENDOSJE.

Të gjithë ata që dhanë gjithçka nga vetja, pa kërkuar asgjë për vete, vetëm për ta rritur Lëvizjen, dhe që sot e asaj dite nuk pendohen për asnjë sakrificë që e bënë. Nuk ndjejnë keqardhje as për qindra arrestimet e burgosjet. As për rrahjet brutale që i pësuam nga policia e pushtetit e as për fyerjet e shpifjet që na u drejtuan nga propaganduesit e partive kundërshtare. Nuk pendohemi për asnjërën prej plagëve që i morëm në trupat tanë, shenjat e të cilave mbeten aty si kujtime nga ato qindra protesta e demonstrata të kësaj dekade. As për vuajtjet plot ankth të nënave tona që për 13 vite asnjëherë nuk fjetën të qeta nga frika për bijtë e bijat e tyre që po përballeshin pa u kursyer, me një pushtet kriminal që nuk njeh njerzillëk.

Kurrë nuk do t’i harroj ditët kur në zyrën e vogël në qytezën Pejton ishim veç një grusht njerëz që përballeshin me gjithë arsenalin e pushtetit të asaj kohe. Kur maqina propaganduese e këtij pushteti, të sfiduar seriozisht për herë të parë pas lufte, na quante tradhtarë, spiunë, e çka jo tjetër. Por nuk pendohemi, sepse të gjitha po i bënim për Lëvizjen dhe për Kosovën. Nuk pendohemi as për momentet e mos-vlerëismit apo nënvlerësimit, sepse nuk ishte vlerësimi personal ajo për të cilën luftonim. As për momentet e këqija si ajo kur sa isha drejtues i Sekretariatit për Media, Albin Kurti më dërgoi e-mail ku më quajti ‘idiot’ vetëm ngase në faqen e Lëvizjes ia publikova, për të mirën e tij, një foto me familjen e vet – të cilën megjithatë, më vonë ai vetë e përdori për fushatë elektorale. Ia fala dhe nuk pendohem, edhe indifirencën ndaj padrejtësisë që na u bë nga pushteti që na akuzoi e dënoi për terrorizëm.

Nuk do t’i vija në diskutim as t’i hidhja poshtë 13 vite angazhim, thjeshtë për ndonjë inat apo ambicje personale të kujtdo. Dashuria e pakushtëzuar për VETËVENDOSJE dhe konceptet e saj nuk do t’më lejonin asnjëherë ta vija veten apo cilindo individ para interesit të Lëvizjes. Prandaj vendosa ta shkruaj këtë letër. Sepse pikërisht interesi i Lëvizjes sot po cenohet për t’i lëshuar udhë interesave personale të disa individëve. Sepse vetëvendosja që dikur ishte fjala më së shumti e brohoritur nëpër tubime e protesta, sot po zëvendësohet me togfjalëshin ‘Albin Kurti”.