Zërat për përçarje në Alternativa që u liferuan në media gjatë ditës së djeshme, jo që rezultojnë si të vërteta, por hendeku ndërmjet dy kampeve kundërshtare ka filluar të thellohet edhe më shumë.

Nga burime të besueshme, nga një pjesëmarrës i një takimi joformal, që për shkaqe etike nuk e bëjmë të njohur emrin e tij, mësojmë se është pikerisht deputeti Skënder Rexhepi – Zejd, si bartës i kësaj nisme dhe promotor i idesë që Alternativa më çdo kusht të bëhet pjesë e shumicës së re qeveritare.

Poashtu mësohet se grupit të Zejdit i është bashkangjitur edhe deputeti tjetër, ish ministri Hysni Ismaili, përndryshe në lidhje familjare me Adnan Ismaili e Logos-it, si dhe ish ministri Asaf Ademi nga Gostivari.
Në këtë takim është biseduar në hollësi për zgjedhjet e fundit lokale, rezultatin zgjedhor, si dhe raportet me Aleancën për Shqiptarët, ku në theks të veçantë janë diskutuar raportet ndërmjet Ziadin Selës dhe Afrim Gashit, ndaj të cilëve është hedhur vrerë, duke u konsideruar si fajtorët kryesor për debaklin zgjedhor jo vetëm në Çair, po në të gjitha komunat ku garoi Alternativa.

Mësohet se shumë shpejt, do të inicohet nisma për shkarkimin e Afrim Gashit, nëse ai nuk do të vetëdorëhiqet brenda ditëve në vijim, sidomos nëse do të insistojë të kundërshtojë kyçjen e Alternativës në Qeveri.

Si do që të jetë, do të shihet shumë shpejt se si do rrjedhin ngjarjet në këtë parti, se a do të arrij Skënder Rexhepi ta marr timonin e partisë dhe të provojë të unifikojë Besën e dikurshme, apo edhe njëherë Alternativë e sotme do të kaplohet edhe nga një virusi i ri përçarjes.