Loja “Pokemon Go” është bërë një fenomen global që prej publikimit të saj më 6 korrik. Loja për telefonat celularë nuk ka vetëm fansa dhe për shkak të debatit që e rrethon që prej ditës së parë, ishte e pritshme një padi që nuk ka vonuar.

Sipas mediave ndërkombëtare, padia u bë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku prodhuesit e lojës “Pokemon Go” janë akuzuar se kanë shkelur në pronë private.

Një amerikan, i cili nuk është identifikuar nga mediat, paditi krijuesit e lojës pasi të huaj të shumtë sorollateshin duke luajtur rreth shtëpisë së tij, brenda pronës së tij dhe disa prej tyre madje i kishin trokitur në derë në kërkim të pokemonëve.

Kjo është padia e parë ndaj kompanive “Niantic”, “Nintendo” dhe “The Pokemon Company” dhe sipas mediave qëllimi është që të kthehet në një padi kolektive të cilës t’i bashkohen edhe njerëz të tjerë që kanë dyqane apo palestra virtuale pokemonësh në pronat e tyre.

Ndryshe nga shumica e lojërave, “Pokemon Go” i bën lojtarët që të lëvizin për të gjetur krijesat pokemon dhe këto shpesh janë në vende që nuk e kanë vlerësuar aspak këtë.

Si pasojë padia akuzon prodhuesit e lojës se kanë injoruar plotësisht pasojat e parashikueshme të vendosjes së pokemonëve virtualë në botën reale pa kërkuar lejen e pronarëve.